Kryeministri Starmer bën thirrje për ‘gatishmëri për luftë’

- Bota Sot

Kryeministri Starmer bën thirrje për ‘gatishmëri për luftë’

Kryeministri Keir Starmer ka paralajmëruar se Mbretëria e Bashkuar duhet të jetë e përgatitur të përballet dhe të mposhtë shtetet armiqësore me kapacitete ushtarake moderne.

Deklarata e Starmer vjen ndërsa qeveria e tij zbulon një plan prej 1.5 miliard funtash (rreth 1.8 miliard euro) për të ndërtuar të paktën gjashtë fabrika të reja armësh dhe eksplozivësh.

“Ne po kërcënohemi drejtpërdrejt nga shtetet me forca të përparuara ushtarake, kështu që duhet të jemi gati për të luftuar dhe për të fituar”, shkroi Starmer në gazetën The Sun të dielën.

“Ne do ta rivendosim gatishmërinë e Britanisë për luftë si qëllimin qendror të forcave tona të armatosura”, ka shtuar ai, shkruajnë mediat e huaja.

Njoftimi erdhi përpara një Rishikimi Strategjik të Mbrojtjes (SDR), të cilin Starmer do ta publikojë të hënën.

Rishikimi do të vlerësojë kërcënimet me të cilat përballet Mbretëria e Bashkuar mes luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë dhe presionit nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump që aleatët e NATO-s të forcojnë mbrojtjen e tyre.

Siç theksojnë mediat, kombet evropiane kanë nxituar të forcojnë kapacitetet e tyre të armatosura në muajt e fundit, pas komenteve të Trump se Evropa duhet të mbajë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj.

Sekretari i Mbrojtjes John Healey, duke folur për rrjetin BBC, tha se investimi i planifikuar sinjalizon një paralajmërim të qartë për Moskën dhe gjithashtu do të ndihmojë në ringjalljen e ekonomisë së ngadaltë të Mbretërisë së Bashkuar.

“Jemi në një botë që po ndryshon tani… dhe është një botë me kërcënime në rritje”, tha Healey për BBC të dielën. “Po rritet agresioni rus. Janë ato sulme kibernetike të përditshme, janë rreziqe të reja bërthamore dhe po rritet tensioni edhe në pjesë të tjera të botës”. 



Read it all at Bota Sot