Anglia po përgatitet ndryshe për ndeshjet e radhës në kualifikueset e Botërorit, ku gjendet në një grup me Shqipërinë.
“Tre luanët” kanë vendosur që këtë të diel të mos e kalonin vetëm në fushën stërvitore në kampin përgatitor që po zhvillojnë në Spanjë.
Futbollistët dhe stafi teknik me në krye Tomas Tuhel, sot kanë udhëtuar drejt Barcelonës ku kanë ndjekur nga afër garën e Formula 1 që zhvillohej në pistën e Montmelo. Anglia gjendet në Spanjë për të përgatitur ndeshjen e të dielës ndaj Andorrës pikërisht në stadiumin e Espanjolit në Barcelonë.
Futbollistët janë shfaqur mes makinave të Formula 1 që para garës, duke takuar shumë prej pilotëve e duke ndarë momentet me ta në rrjete social, ndërsa më pas ndoqën garën e cila u fitua nga Oskar Piastri.
Të 26 lojtarët ishin ftuar të merrnin pjesë në këtë aktivitet, por Trent Aleksander-Arnold, Deklan Rajs, Ezri Konsa dhe Entoni Gordon munguan në vizitën në pistën e Formula 1.