Benfica ka marrë një qëndrim të prerë sa i përket të ardhmes së Alvaro Carreras, duke refuzuar çdo ofertë që nuk përmbush klauzolën e lirimit prej 50 milionë eurosh.
Real Madridi mbetet i interesuar për mbrojtësin e majtë 22-vjeçar, por nuk është i gatshëm të paguajë shumën e plotë që kërkon klubi portugez.
Sipas “A Bola”, Los Blancos kanë bërë një ofertë prej 35 milionë eurosh plus bonuse, por Benfica nuk është e hapur për negociata dhe kërkon pagesën e plotë të klauzolës.
Carreras u transferua përgjithmonë te Benfica verën e kaluar për 6 milionë euro nga Manchester United dhe u bë një nga lojtarët kyç të ekipit në sezonin që lamë pas.
Mbrojtësi spanjoll zhvilloi 50 ndeshje, shënoi katër gola dhe dha pesë asistime, duke rënë në sy edhe në Ligën e Kampionëve, çka ka nxitur interes nga disa klube të mëdha evropiane.
Benfica dëshiron ta mbajë lojtarin të paktën deri pas Kupës së Botës për Klube në qershor, pasi e sheh si pjesë të rëndësishme të skuadrës për atë kompeticion.
Edhe pse Carreras ka kontratë deri në vitin 2029 dhe ndihet mirë në Lisbonë, një rikthim te Real Madridi mbetet një ëndërr për të. Thuhet se ai ka rënë dakord për kushtet personale me klubin spanjoll, përfshirë një pagë prej 9 milionë eurosh në sezon.