Një delegacion nga Ukraina ka mbërritur në Stamboll për bisedime me delegacionin rus, raporton ANSA, transmeton KosovaPress.
Kjo është konfirmuar nga një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kievit. Ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, kryeson delegacionin ukrainas.
Bisedimet pritet të nisin në orën 13:00 me orën lokale, përkatësisht në orën 12:00 me orën tonë, në Pallatin Çıragan, një ndërtesë nga epoka osmane e vendosur në Bosfor, pranë lagjes Ortakoy.
Delegacioni rus që do të takohet sot me zyrtarët ukrainas ka mbërritur tashmë gjatë natës në Stamboll, njofton televizioni shtetëror turk TRT. Delegacioni nga Moska drejtohet nga Vladimir Medinsky, këshilltar i presidentit Vladimir Putin, i cili më parë kishte kryesuar delegacionin rus në bisedimet e drejtpërdrejta me zyrtarët ukrainas në Stamboll më 16 maj, për herë të parë pas gati tre vjetësh.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi se kishte zhvilluar një telefonatë me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, “me kërkesë të Rusisë”, dhe “riafirmoi thirrjen e Presidentit Trump për vazhdimin e bisedimeve të drejtpërdrejta ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës për të arritur një paqe të qëndrueshme”.
Ndërkohë, lufta vazhdon. Kievi raporton se gjashtë persona, përfshirë dy fëmijë, janë plagosur gjatë natës nga një sulm rus me raketa dhe dronë në qytetin e Kharkivit, në lindje të Ukrainës. Kreu i administratës ushtarake të rajonit me të njëjtin emër, Oleg Synegubov, sqaroi se rusët goditën qytetin me dy raketa balistike dhe një numër të pacaktuar dronësh. Sipas kryetarit të bashkisë, Igor Terekhov, një dron ka rënë në lagjen Kholodnohirsky dhe ka dëmtuar një ndërtesë, një biznes, disa shtëpi dhe disa makina.
Nga ana tjetër, Rusia thotë se “ka kapur dhe shkatërruar 162 dronë ukrainas gjatë natës”. Shumica e dronëve, 57, janë rrëzuar në rajonin e Kurskut.