Investigimi i Sky News: Bandat kriminale në Britani përdorin shtëpi me qira për të ngritur ferma kanabisi, rrezikojnë jetën e fqinjëve të pafajshëm

- Bota Sot

Investigimi i Sky News: Bandat kriminale në Britani përdorin shtëpi me qira për të ngritur ferma kanabisi, rrezikojnë jetën e fqinjëve të pafajshëm

Bandat e krimit të organizuar në Britaninë e Madhe po përdorin gjithnjë e më shumë banesa me qira për të ngritur ferma të paligjshme kanabisi, duke rrezikuar seriozisht jetën e fqinjëve përreth. Policia paralajmëron se ky fenomen është në rritje dhe shoqërohet me pasoja të rënda, raporton Sky News.

Sipas Policisë së Manchester, shpesh përdoren metoda primitive për të anashkaluar matësit e energjisë elektrike, me qëllim shmangien e faturave të larta që kërkon një fermë kanabisi. Këto ndërhyrje të paligjshme krijojnë rrezik të lartë për zjarr, duke vënë në rrezik jo vetëm autorët, por edhe banorët përreth.

“Sasia e madhe e energjisë së nevojshme për ndriçimin, ventilimin dhe ngrohjen e ambienteve, bën që këto ndërhyrje elektrike të bëhen në mënyrë të pasigurt dhe mund të shkaktojnë zjarr në banesa,” deklaroi Inspektorja Bree Lanyon për Sky News.

Në periudhën maj 2024 – prill 2025, Policia e Manchesterit zbuloi 402 ferma kanabisi, dhe në një prej operacioneve në lagjen e qetë Wythenshawe, u gjetën një dhomë e mbushur me bimë kanabisi dhe një tjetër dhomë ku droga thahej dhe paketohej për shpërndarje. Vlera e drogës në treg u vlerësua në dhjetëra mijëra paund.

Jashtë banesës, policia konstatoi se matësi i energjisë ishte manipuluar.

“Kemi parë një numër të madh zjarresh në banesa të kthyera në ferma kanabisi për shkak të lidhjeve të pasigurta elektrike. Kjo përbën rrezik serioz edhe për fqinjët,” shtoi Lanyon.

Rreziqet nga këto aktivitete u theksuan tragjikisht nga ngjarja e vitit 2024, ku një fëmijë 7-vjeçar, Archie York, humbi jetën pas një shpërthimi të shkaktuar nga kimikatet në një fabrikë kanabisi në një pallat banimi. Autori u dënua me 14 vite burg.

Policia thotë se bandat shpesh punësojnë “kopshtarë”, për të menaxhuar fermat. Këta persona marrin përsipër fajin dhe dënimet, duke mbrojtur personat e vërtetë që qëndrojnë pas trafikut.

Përdorimi i banesave me qira – shpesh përmes pronarëve të pandërgjegjshëm – e bën gjithashtu më të vështirë për autoritetet të zbulojnë aktivitetin kriminal në kohë, shkruan Sky News.



Read it all at Bota Sot