Zelensky hedh poshtë propozimin e Moskës për një armëpushim 2-3-ditor

- Bota Sot

Zelensky hedh poshtë propozimin e Moskës për një armëpushim 2-3-ditor

Propozimi i Rusisë për një armëpushim të përkohshëm dhe të kufizuar është një taktikë nga Rusia për të fituar kohë. Kështu është shprehur  presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy .

Propozimi për një armëpushim dy ose tre-ditor për të  mbledhur ushtarët e rënë nga fusha e betejës , tha ai, synon të vonojë sanksionet e SHBA-së.

“ Mendoj se janë budallenj , sepse, në parim, një armëpushim synon të sigurojë që të mos ketë viktima”, tha Zelensky në një bisedë me gazetarët.

“Kjo është arsyeja pse dua vërtet që partnerët tanë amerikanë të marrin masa të forta dhe të dërgojnë një paketë sanksionesh në Senat, për të ushtruar presion mbi rusët që të ndalojnë armiqësitë me sanksione të forta.

Ata nuk kuptojnë asnjë mënyrë tjetër. Dhe ne besojmë se kjo është e drejtë”, tha presidenti ukrainas, i cili shtoi se “në fund të fundit, kanë kaluar tre muaj që kur SHBA-të dhanë sinjalin për një armëpushim të plotë dhe ne i mbështetëm ata”.

Ai gjithashtu theksoi se Ukraina nuk i ka ndryshuar kërkesat e saj . Ajo që kërkon është një armëpushim pa kushte, një shkëmbim të të burgosurve, kthimin e fëmijëve të rrëmbyer, kthimin e civilëve dhe më pas një takim të udhëheqësve.

Në një zhvillim tjetër, Zelensky tha se delegacionet ukrainase dhe ruse, që morën pjesë në raundin e dytë të bisedimeve në Stamboll të hënën, ranë dakord të hartojnë lista me emrat e të burgosurve të luftës që do të përfshihen në shkëmbimin e planifikuar .

Negociatorët ukrainas dhe rusë ranë dakord për një shkëmbim prej 1,000 të burgosurish nga secila palë , me mundësinë e shtimit të 200 të tjerëve të burgosur lufte.

Ai tha gjithashtu se ishte arritur një marrëveshje për kthimin e eshtrave të ushtarëve që u vranë gjatë asaj lufte, por theksoi se kjo kërkon përgatitje të kujdesshme.

Zelensky tha se negociatorët ukrainas u kishin dhënë homologëve të tyre rusë një listë me gati 400 fëmijë, riatdhesimin e të cilëve Kievi po kërkon, duke pretenduar se ata u zhvendosën me forcë nga trupat ruse. Megjithatë, delegacioni rus pranoi të merrte në konsideratë kthimin e vetëm dhjetë fëmijëve.

Çfarë kërkoi Rusia?

Rusia i ka propozuar Ukrainës një armëpushim të pjesshëm prej “dy deri në tre ditësh” në sektorë të caktuar të frontit gjatë një raundi të ri bisedimesh në Stamboll sot, tha më parë kreu i ekipit negociator rus, Vladimir Medinsky, ndërsa Kievi vazhdon të këmbëngulë për një armëpushim të plotë dhe pa kushte.

“Ne kemi paraqitur një propozim për një armëpushim specifik për dy ose tre ditë në zona të caktuara të frontit”, tha Medinsky në një konferencë për shtyp pas bisedimeve në Stamboll. Ai tha se delegacioni rus i kishte dorëzuar delegacionit ukrainas një memorandum të detajuar që përshkruan kushtet e Moskës për një armëpushim të plotë.

Konkretisht, sipas agjencive ruse, Moska po i kërkon Kievit të tërheqë forcat e saj nga katër rajone të vendit që Moska i konsideron tashmë të aneksuara në mënyrë që të pranojë një armëpushim gjithëpërfshirës.

Sipas dokumentit, i cili iu dha ukrainasve gjatë bisedimeve midis dy delegacioneve në Stamboll sot, Moska dëshiron “tërheqjen e plotë” të ushtrisë ukrainase nga rajonet pjesërisht të pushtuara të Donetskut, Luhanskut, Zaporizhias dhe Khersonit. Forcat ukrainase do të duhet të largohen përpara se të zbatohet një armëpushim 30-ditor.

Memorandumi, i cili përshkruan kërkesat e Rusisë për t’i dhënë fund luftës, bën thirrje për “njohje ligjore ndërkombëtare” të katër rajoneve, si dhe të Krimesë, si territor rus. Gadishulli i Krimesë u aneksua nga Rusia në vitin 2014.

Ai gjithashtu bën thirrje për heqjen e sanksioneve ekonomike dhe që Ukraina të heqë dorë nga pretendimet e saj për dëmshpërblime lufte.



Read it all at Bota Sot