Historia e dashurisë me Luiza Filipin/ Refuzimi i Ali Memës dhe letra e babait të futbollistit për Beqir Ballukun!

- Bota Sot

Historia e dashurisë me Luiza Filipin/ Refuzimi i Ali Memës dhe letra e babait të futbollistit për Beqir Ballukun!

Një Klaudia Kardinale për kohën ka qenë, vajzë e re, brune, më flokë të gjata, shumë e bukur, figurante, trup elegant, e dashuruar me një futbollist tejet të njohur. Si në filma e romane, një histori dashurie, e veçantë, e tillë edhe sot mbetet ajo e Luiza Filipit me Ali Memën. Pasionante, e bujshme në atë fillim të viteve 60-të, nga dita kur u shfaqën në publik, duke befasuar mjedisin kryeqytetas. Një tip i veçantë për linjat estetike që kishte, duke tërhequr vëmendjen e të rinjve: “Kjo është Liza, gruaja e Ali Memës” thoshin nën zë. Një jetë së bashku, me dy fëmijë, një kopje e admiruar, të lumtur deri në çastin, kur në vitin 2004 shumë e re, Liza do të ndahej nga jeta. Duke lënë pas bashkëshortin, dy fëmijët, hidhërimin, dëshpërimin, mungesën e thellë e të pazëvendësueshme.”Ajo ka qenë një periudhë shumë e vështirë për ne të tre”-shprehet Alma, vajza e madhe. Një histori e bukur, emocionuese kur e dëgjon. Liza atlete, rekordmene në shtizë e disk, ai lojtar fama e të cilit ishte në rritje, te njohja, dashuria në Teknikumin e Fizkulturës, për t’u kurorëzuar kur ishin të rinj, vetëm 23-vjeç.

CILA ISHTE VAJZA E BUKUR LUIZA FILIPI?

Familja Filipi, kishte katër fëmijë, tri motra, Luiza, Jolanda, Maria, dhe Tonini i vëllai. I ati shkodran, mamaja korçare. Luiza, apo Liza siç i thërrisnin lindi në Tiranë dhe 7-vjeçaren e ka kryer te shkolla “Hoxha Tahsin”, ku mësueset shohin një vajzë të hedhur. Ajo ka të dhëna edhe për pikturë. Mësuesja e vizatimit, e pati këshilluar që të studionte për arkitekturë, po ajo pëlqen sportin, sepse trup i bukur, figurante dhe mësuesja e edukimit fizik gjithmonë e nxiste si t’i do bëhesh sportiste e mirë. Merrej me hedhje diskut, gjyle, shtizë, deri n/kampione për të rejat. Por, pa kushte, me këpucë të lagura, stërvitej, dhe shumë e re, u sëmur me bajamet dhe nga poliartriti. Deri edhe në një moment kur nuk e mbante dot as lugën, dhe prindërit e pyesnin çfarë ke, kur e shihnin që ajo i binte nga dora, por pa kuptuar asgjë. Ishte vetëm 18-vjeçe, pas një kontrolli rutinë, mjekët konstatojnë probleme me zëmrën. Stenozë dhe insuficiencë e valvulës mitrale.

FAMILJA MEMA, NJOHJA, REAGIMI

Ndryshe, te Ali Mema: familja tradicionale tiranase, djali i familjes Arbana. Futbollist i talentuar, spikat me të rinjtë e SK Tiranës, pastaj te “17 Nëntori”. Në një klasë në Teknikumin e Fizkulturës, ndonëse Aliu ishte dy vjet më i madh, 1 shkurtit 1943 dhe që shkon me vonesë dhe Luiza e 7 gushtit 1945. Viti 1962, janë njohur nga afër, janë miqësuar, nisin të takohen fshehurazi, jo në shkollë. Luiza është më e rezervuar, por një vajzë, një femër me karakter, e fortë si natyrë dhe autoritare. Ali Mema do të bjerë në dashuri kokë e këmbë. Xhaxha i tij i madh i tij, Beqiri është tipograf, bashkë me të atin e Luizës që edhe ai ka, ka atë profesion, dhe njihen mirë midis tyre. Vjen një moment që Aliu do i tregojë të tijve që ka njohur një vajzë, dhe ajo është vajza e Luigj Filipit. Pati hezitim, u krijua pengesë, nga fakti se familja e Luizës katolike, ndërsa Arbana, myslimanë, pra çështje feje. Në atë fillim nuk donin, por Aliu është treguar i vendosur sepse e dashuronte Luizën e mirë e të bukur, por jo vetëm, edhe si njeri. Një fazë që do të shoqërohet me përpjekje për të bindur të shtëpisë së tij deri kur më në fund kanë rënë dakord. Për ta kërkuar nga familja e Aliut nuk do të shkojë i ati, kjo për shkak të mentalitetit, lidhur me ndryshimin e fesë, një zakon që respektohej nga familjet e traditës. Por në vend të tij, i vëllai Beqiri, meqë njihet me të atin e Luizës, Luigjin. Me to do të jetë edhe motra e madhe e familjes Arbana (Mema) dhe përfundimisht fejesa do të shpallet. Viti 1965 kur janë fejuar, dëshmi e asaj ceremonie është një foto ku janë të dy, siç bëhej atëherë në studio. Dilnin shëtitje, njerëzit I shihnin, Ali Mema me të fejuarën, bukuroshen Liza, thoshin.

Martesa, vjen në jetë fëmija e parë

Institutin e fizkulturës, Luiza e mbaron para se të martohej. E emërojnë mësuese të edukimit fizik në shkollën “Hoxha Tahsin”, atje ku kishte qenë nxënëse. Shkonte me biçikletë, ashtu si edhe Alia. Ajo Mifa të kuqe, Aliu blu. Një vit fejesa dhe martesa. Dasmën e kanë bërë të thjeshtë, pa shumë zhurmë, pasi nga ana e familjes së Luizës ka një vdekje, që e ka detyruar çiftin familjet të organizojnë vetëm një darkë në shtëpi, nga e cila janë ruajtur disa foto. Luizën nuse, e kanë vendosur te një dhomë e mbushur me njerëz, ku ajo qëndronte në këmbë. Pastaj, nuse ulu i kishin thënë. Banonin te rrugica “Shyqyrri Bërxolli”, bashkëjetesë në grup, 18 vetë, në një sofër të madhe. Babai i Aliut, njeri i mirë zotni burrë. Po kështu edhe gratë, shtëpiake, dikur të kamur. Është vetëm 21 vjeçe kur në nëntor të 1966-tës, do të lindë vajza.

Motrat e Aliut duan t’i venë emrin Lejla, por Luiza i ka kundërshtuar, duke menduar se kur ajo do të rritet mund ta thërrisnin Laje. Dhe duke u shprehur, emrin vajzës, do ia ve Alma i ka thënë. Nga Alma e Rios, një film latin spanjoll, me këngë, muzikë shumë të pëlqyera nga Luiza dhe Aliu. Pas ndeshjeve, Aliu do e merrte Luizën, dhe nën lulishten e Kursalin, që çifti e frekuentonte shumë në atë kohë. Ndërsa Liza, e merrte një gotë verë, ndryshe bashkëshorti, Aliu, nëse ndeshjen e rrallës e kishte me “Dinamon”, “Partizanin”, ai pinte ujë. Gjithë jetës ka respektuar rregullat sportive, asnjë cigare, asnjë pije alkolike. Në Kursal ka një pistë kërcimi, ku të pranishmit vallëzonin. Një ndër to edhe Luiza nga të parat, kërcente shumë mirë, më pak se Aliu. Vetëm kur pinte në ndonjë gotë rast të rrallë, bënte shaka me Luizën e ngacmonte, përkëdheleshin, duke vallëzuar më pas.

Si atëherë edhe sot e tillë kujtohet, mbahet mend Liza. Një grua me gusto, me kulturë dhe moderne për kohën dhe më vonë. E thjeshtë si natyrë, por vishej mirë me shije, edhe nga fakti se bashkëshorti, sa herë që dilte jashtë shtetit vetëm për të mendonte. Nga Holanda i pati sjellë një pardesy kastor, binte shumë në sy. Një palë këpucë, që i vishte me raste. Liza ka qenë e kujdesshme, e rregullt, t’ia shihje rrobat si i mbante, vërtet të befasonte. Edhe pse kishte vite, mbi 20 vjet të përdorura, i mbante pastër, të cilat ia pati falur vajzës, Almës tashmë të rritur. Pastaj pasioni i madh për muzikën, këngët, këngëtarët. Pëlqente Elvis Preslin, ata italianë, veçanërisht Çelentanon. Karakterizohej edhe nga një tjetër aftësi: Me shumë vesh për muzikë, shpesh me vajzën, Alma këndojnë, duke krijuar një duet të mrekullueshëm. Pëlqente këngëtarët e atij brezi, veçanërisht Vaçe Zelën. Po kështu edhe kinematë, të parët sapo dilte një film i ri, deri edhe me vajzën 8- muajshe. Njeri e lexuar, shumë e lidhur edhe me libra, edhe nga fakti se i ati si tipograf, i kishte krijuar një bibliotekë të madhe. Një kërkesë, traditë Luiza që do ia përcjellë edhe Almës, ndonëse e vogël as 5 vjeçe kur ajo ka nisur të lexojë.

Periudha e Ali Memës në Shkodër

Nga një zbor 6-mujor pas universitar, një qëndrim larg familjes, gruas një periudha e gjatë që Luiza do ta vuajë shumë. Një histori e bujshme pasi ai nuk mund të vinte në shtëpi. Komunikim pak në telefona nga posta, me Lizën e re, shtatzënë. Një qëndrim në Shkodër që zgjati 18 muaj. Shkoi në pranverën e 1966, u kthye në janar të 1968. Në familjen Dedja, Duria, nëna e Mendu Dedjes i ka shërbyer me gjithçka. Por edhe për Ali Memën, jo vetëm malli për familjen Luizën, por një tjetër shqetësim e ka shoqëruar, takimet e “Vllaznisë” ndaj “17 Nëntorit”. I patën nxjerrë edhe një fletë rrufe, pasi u bë problem deri në Komitetin e Partisë, që urdhëruar trajnerin ta aktivizonte ndaj Tiranës, por ai kundërshtoi me të drejtë. Edhe në një rast tjetër po ndaj “17 Nëntorit”, në pushim të ndeshjes, me sinqeritetin që e karakterizonte i tha trajnerit: “Nuk mundem të luaj kundër ekipi tim”. Dhe ai e zëvendësoi. Pas përfundimit të 6 muajve të zborit, i ati i Aliut, i shkruan një letër Beqir Ballukut si ministër i Mbrojtjes, duke i kërkuar kthimin e Ali Memës pranë familjes, pasi ishte i martuar dhe me fëmijë. Letra humbi. Në Shkodër e kanë pritur, trajtuar shumë mirë, dhe vetë Aliu e përcaktuar si ndër më të bukurat e karrierës së tij.

Nga mësuese, nënë angazhim madh

3 vite pas Almës do të lindë djali. Ndonëse vogël, pa e ditur se është djalë apo vajzë, nga Alma i kërkohet t’i vënë emrin Arjan. Por atë do e zgjedhë Fatmir Frashëri. Një futbollist i njohur mik i ngushtë i Ali Memës, duke iu kërkuar t’ia vënë Ardjan, me justifikimin se “unë nuk kam djalë, por dy vajza”. Por, më pas edhe ai do të ketë një djalë, Andin. Më 1972, Kryetari i Komiteti Ekzekutiv, Jovan Bardhi, që e vlerësonte shumë Aliun, kishte shumë respekt për familjen Mema, duke parë kushtet e vështira, me dy fëmijë i dha një apartament, te Brryli, në pallatet që u ndërtuan për personelin e ambasadës kineze. Aliu do të ndahet me futbollin më 1972, 29 vjeç. Edhe fëmijët janë pak më të rritur. Tifoze me “17 Nëntorin” si ish-sportiste me këtë klub, ndeshjet i ndiqte në radio, ato kur luante Aliu, por shpesh shkonte edhe në stadium. E ëma, e saj, fotografe në ATSH i sillte foto. Një ndër to, është Luiza e ulur në fushë pas porte. Edhe në familje, tejet rigoroze me fëmijët, me Almën, veçanërisht. Në rastet, kur ajo i kërkonte të shkonte në mbrëmje në një datëlindje, apo në ndonjë festë më shoqet e klasës, nuk e lejonte. Si mësuese i dinte gjërat se si vlonin te nxënësit. Në mjaft raste ishte Aliu që ndërhynte. Dhe ajo që do të dorëzohej, por me 500 porosira nga pas, që ishin përkujdesja pa fund e një prindi. Mësuese, grua autoritare, çfarë kishte ta thoshte në sy, asnjë herë të merrej më tha, i thashë. Grua e fortë, Liza ka qenë një mbrojtje e madhe për Ali Memën, reputacionin, për të cilin ajo do të kujdesej në vazhdimësi. E tillë edhe për nxënësit, mjafton të takosh një ish -nxënës të saj, për të kuptuar dashurinë, respektin e tyre të pafund për të.

Çifti Mema miq me të gjithë

Ndër shumë miq, sportistë, artistë, shkrimtarë, midis tyre edhe kompozitori i njohur Preng Jakova, ka qenë një dashamirës i madh i çiftit Mema. Madje ka një rast, duke zhvilluar provat në Teatrin e Operës për të vënë në skenë “Skënderbeu”, Preng Jakova në një cast, ka ndalur duke iu drejtuar orkestrës: “Do t’i mbyllim shpejt provat, se do të nisem për në Shkodër, pasi sot lot për herë të fundit Alija”. Pinte cigare, një periudhe edhe 7-8 të tilla në ditë, por jo në shkollë. Shumë e shoqërueshme si natyre, nuk i kanë munguar asnjëherë shoqet. Ndër to, me mikeshat, Liri Kondon, Lili Toskën, që u martua me një sportist Gazmend Toskën atlet, duke krijuar dy çifte shumë simpatikë, shoqëri që në shkollë për ta vijuar edhe më vonë. Pa iu ndarë plazhit çdo vit, me 1 korrik, 15 ditë, të gjithë bashkë si familje, pastaj Aliu si futbollist, më pas trajner, fillonte fazën përgatitore, i grumbulluar në Dajt. Ndërkohë Luizës i ka pëlqyer edhe natyra, vajtjet, qëndrimi në lumin Erzen, të cilin e frekuentonte sistematikisht me fëmijët, të afërm, miqësitë, kryesisht të dielave. Si mësuese kishte pushime të gjata në verë duke i shfrytëzonte ato. 51-vjeçe Luiza do të dalë në pension, pasi ka punuar në disa shkolla të mesme te “Sami Frashëri”, në kohën kur nxënës është edhe Fatos Nano, pastaj te ajo Bujqësor në Qytetin e Nxënësve dhe 25 vjet te gjimnazi “Partizani”, me kolegët Ylli Kruja, Elsën, Nerminin, Ana Qëndron, Leo Janku, mësues të njohur.

Përkeqësohet situata shëndetësore

Vitet kalojnë por problemet shëndetësore, stenoza, insuficienca kardiake, janë diagnoza, të cilat Luizën do ta shqetësojnë dhe që do i vuajë gjithë jetës. E re me sëmundje kronike që i avanconte. Shtrohej 1, 2 muaj në spital, vit për vit. Kur është shtatzënë me djalin, doktori e ka këshilluar ta heqë fëmijën, pasi rrezikonte jetën. Por, ajo nuk ka pranuar. Le të vdes vetë, fëmijën nuk e heq i është përgjigjur dhe Ardin e ka fituar vetëm me këmbënguljen e saj. Energjike, lodhej, nga shkolla, në spartakiada, përgatitjet, parakalimet e majit, ato të 28-29 Nëntorit, një stërmundim i madh. Nga e folura në fyt e krijohet një kallo. Më 1984, situate është rënduar, me Luizën 5 muaj e shtrirë në krevat pa lëvizur. Në një takim të rastësishëm i Aliut me një nga shoqëruesit e Adil Çarçanit, kryeministër, asokohe, kur ai pyet: “Ali si e ke nusen, kam dëgjuar jo mirë me shëndet. Pse nuk i thua vjehrrit tënd të takojë shefin tim se e ka përmendur disa herë? Dhe ai takim nuk ka vonuar. Burrë i pashëm, dhe që shqetësohej, preokupohej, interesohej, sidomos kur bëhet fjalë për Luizën, të cilën e ka veçuar nga të gjithë fëmijët e tjerë. Edhe nga fakti se i ngjante atij në karakter, e donte shumë dhe i vinte keq për shëndetin e saj. “Jo Luigj, pse flet kështu i pati thënë Adili”. Tetor deri në mars të vitit tjetër në Luzi do t’i kalojë spital. Sorollatje të pafundme, pastaj në prill 1985, Adil Çarçani, i informuar nga gjendja e rënduar e saj merr në telefon spitalin, në atë kohë, shef pavioni i repartit të kardiologjisë doktor Sali Berisha. E njoftuan, se është kryeministri, interesohet për Luiza Memën. Folën, dhe duke parë situatën, u dha urdhër, për ta dërguar pa humbur kohë në Itali.

Drejt “san camilo-s” në romë

Është nisur, ka udhëtuar vetëm pa asnjë shoqërues. Me të janë edhe tre gra të tjera, Liria, nusja e doktor Profit Canit, një Zana, dhe një vajzë e re nga Jergucati, 17 vjeçe. Në spitalin “San Camilo”, në Romë, me 10 prill 1985 është operuar, një ditë para se vdesë Enver Hoxha. I kanë vënë një valvul platini, pasi të tjerat nuk i janë përshtatur. Ndërkohë mjekët konstatuan probleme edhe me valvolën tjetër. Nëse do kishin ndërhyrë, rikuperuar ndoshta mund të ishte ende gjallë edhe sot. Me familjen nga Roma, do të komunikojë dytri herë me telefon. Në Itali, Luiza ka një hallë, motrën e të atit që jeton prej vitesh në Val d’Osta, me bashkëshortin Salvatore, të martuar në 1949 në Tiranë, të larguar me pas kur atij do t’i jepet riatdhesimi. E kanë njoftuar dhe Vitoria, bashkë me të birin ka marrë rrugën për të takuar e parë mbesën, Luizën në Romë.

Kthimi, ka lot, të gjithë janë të lumtur

Pastaj kthim me avion, Romë në Beograd, në ambasadë, kanë takuar ambasadorin shqiptar aty. Asnjë lloj trajtimi, të veçantë madje ka blerë diçka në një market për të ngrënë dhe drejt Rinasit. Ashtu si kur është përcjellë nga Aliu, nëna e saj dhe dy fëmijët Alma dhe Ardi, po ato janë edhe kur do të vijë që do e presin. Liza ishte veshur me një golf të bardhë, të bukur të rënë pak, dhe e shëndoshur kur është shfaqur, por ashtu e bukur, si një yll i vërtetë. Të gjithë janë të lumtur, Luiza, gruaja, mamaja ishte kthyer shëndoshë e mirë. Almës dhe Ardit i kanë shpërthyer lotët, ndryshe Aliu, një njeri që prekej, që nuk e tregonte, por edhe atij i kanë rrjedhur pika loti nga sytë. Është vetëm 40 vjeç kur u bë operacion në zemër. Sa herë që do të kthehet në shtëpi, duke u ngjitur në katin e tretë, të gjithë e kuptonim se ishte ajo, pasi zemra i rrihte pa fundësisht. Shumë i preokupuar ishte edhe Aliu, që e shprehte, kur sapo futej në shtëpi, fjala e parë, ku është Liza do të pyeste. Përdorimin e biçikletës tashmë ia kanë ndaluar mjekët. Por, nuk ndryshon, një grua vetësakrifikuese do të mbetet. Më 1992, Alma do lindë djalin, edhe e sëmurë Liza, do të vrapojë nga shkollë, do të nxitojë për në shtëpinë e vajzës të ndërrojë nipin e vogël, e ta ushqejë atë. Ndërsa në shtëpinë e saj do kujdesej për Aliun, Ardin.

Një jetë bashkë dhe ndarja pa kthim

Me sëmundjen që i përkeqësohej, pati shkuar dy herë në Turqi, për kontroll, e shoqëruar nga bashkëshorti. Në vitin 2003, do të marrë sërish avionin për Stamboll, për të kryer ndërhyrjen e dytë në zemër, të cilën ia kreu një mjek i njohur ndër më të mirët në këtë specialitet. Ilham Bej e thërrisnin. Luiza është mrekulluar nga shërbimi. Edhe në ditën e Kurban Bajramit, kur të gjithë e kishin pushim, ai ka vajtur e ka vizituar, madje duke i uruar Bajramin. Një ditë para se të largohen, ndërsa janë sistemuar në një hotel, i njoftuar në telefon nga familjarët për një shqetësim të vogël të Luizës, mbrëmje, ora 23.00 ai ka vajtur menjëherë për ta vizituar. Ajo situatë e rënduar e saj ka zgjatur një vit e gjysmë, nga shkurti 2003, kur u bë ndërhyrja, më 12 nëntor të 2004, Luiza do të ndërrojë jetë. Pikërisht në datëlindjen e vajzës Alma, kur të nesërmen me 13 nëntor, familjarë, të afërm, miq, kolegë, kanë organizuar ceremoninë mortore. Nuk e prisnim aq shpejt, kur një natë më parë, ndonëse me kriza të forta e kanë shtruar në spital. Mos u merr me mua, më lër të iki atje ku duhet të shkoj i ka thënë doktor Sokol Myftiut, mjek dhe njeri shumë i mirë. Jo, Luiza, – i është përgjigjur ai, – çfarë thua kështu? Të preokupuar i kanë shërbyer, pa fund. Doza të mëdha me insulinë, ora 11 e gjysmë ka qenë, në spital, shumë e re, 59 vjeç, kur ka mbyllur sytë. Pas atij momenti, për familjen Mema do të ndryshojë gjithçka. Sado që fëmijët, Alma, Ardi do i qëndronin afër të atit, nga ajo dashuri e madhe, gjithmonë bashkë me Lizën, ai do të bjerë shumë moralisht. Nuk ia kishte prishur kurrë për asgjë. E ka respektuar, vlerësuar, para saj asnjë, asgjë, tjetër. Jetoi 15 vite pa të, me trishtimin, vetminë, mungesën që ajo la pas. Nuk ia zëvendësonte askush. Nuk shkonte në varreza, se nuk e besonte, nuk e pranonte që aty kishte Lizën e tij. Më 26 mars 2019, 76 vjeç edhe Ali Mema do të ndahej nga jeta./Gazeta Panorama 



Read it all at Bota Sot