Armand Duka: Jemi më shumë të lidhur me fanellën se sa Serbia, dua kualifikimin në Botëror

- Bota Sot

Armand Duka: Jemi më shumë të lidhur me fanellën se sa Serbia, dua kualifikimin në Botëror

Emocionet për përballjen me Serbinë sa vijnë e shtohen. Një 90-të minutësh shumë i luftuar pritet ditën e shtunë në “Arenën Kombëtare”. Në orën 20:45, Shqipëria dhe Serbia do të përballen mes tyre në një takim që “flet” shumë.

E kur jemi para kësaj përballje mjaft delikate ka folur Armand Duka.

Kreu i FSHF-së ishte i ftuar në “Opinion” nga Blendi Fevziu. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit tregoi se si po e përjetojnë lotjarët një ndeshje të tillë. Gjithashtu theksoi se edhe Sylvinho po e përjeton në mënyrën e tij, pasi ka parë e lexuar shumë ditët e fundit.

Ndërkohë Duka është i bindur se kuqezinjtë do të tentojnë “play-off” për vendin e dytë, pozicion që të jep mundësinë të tentojmë edhe kualifikimin në Botëror. Dueli me Serbinë sipas tij do të jetë vetëm sportiv dhe se gjithçka tjetër duhet të mbetet jashtë kësaj sfide.

“Nuk mund ta fsheh që ndeshja me Serbinë ka emocion shumë. Jo vetë nga ajo që ndodhi në Beograd, por ka shumë ngarkesë, ka shumë emocion. Mundohemi ta çdramatizojmë të gjithë. Silvinjo e njeh historinë e Shqipërisë e njeh mentalitetin e shqiptarëve, jeton me këtë lloj mentaliteti. Edhe ka lexuar, edhe ka biseduar me ne. E përjeton në një farë mënyre. Ndoshta jo njësoj si ne, ndoshta jo njësoj si futbollistët nga Kosova, por e njeh realitetin.

Lojtarët e dinë që është një ndeshje futbolli. Ne duhet ta luajmë si një ndeshje futbolli, ta performojmë si një ndeshje futbolli dhe ta fitojmë si një të tillë. Nëse ne arrijmë ta bëjmë këtë, kemi realizuar edhe shumë gjëra të tjera. Ne nuk duhet ta mbingarkojmë situatën. Duhet që i gjithë interesi i të gjithë shqiptarëve, si brenda edhe jashtë stadiumit, të jetë për ta ndihmuar skuadrën, ta shtyjnë drejt fitores. Jo për ta mbingarkuar. Detyra patriotike sot është që të luash futboll dhe të kesh një rezultat pozitiv.

Nuk është shumë e thjeshtë që në një ndeshje të tillë të jesh vërtetë shumë i qetë. Shpresoj që deri në momentin që do të bjerë bilbili qetësia të kthehet dhe të marrim maksimumin e mundësive. Padyshim të kemi edhe ndihmën e Zotit, pasi futbolli është edhe fat.

Për ne kjo është një ndeshje e rëndësishme sportive. Është një ndeshje e rëndësishme për objektivin sportiv.

Futbollistët dhe të gjithë ata që e mbështesin dhe e duan Kombëtaren kështu duhet ta mbështesin, që ne kemi shpresë që të shkojmë në “play off”. Vendi i parë në këtë grup është shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Kështu që shanset për të arritur në vendin e dytë janë mes nesh dhe Serbisë dhe kjo e kthen akoma më shumë këtë ndeshje në një derbi sportiv.

Serbia ka kualitete, ka traditë, ka shkollë të mirë futbolli, ka individë të mirë. Ne mendojmë që i kemi mundësitë për të arritur rezultat, sepse kemi një skuadër më kompakte. Një skuadër që është më e lidhur me fanellën.

Interesimi në fakt në shkallët e stadiumit në Shqipëri për ekipin kombëtar është më shumë se në Serbi. Kjo na bën të mendojmë për një rezultat pozitiv. Mund ta arrijmë rezultatin pozitiv vetëm nëse gjejmë balancat emocionale. Ia kam dhënë mesazhin tim lojtarëve.

Nuk dua t’i bezdis më deri në ditën e ndeshjes. Kjo ndeshje, sipas meje, dhe besoj se e kam eksperiencën e duhur, nuk ka nevojë më për motivim, sepse futbollistët janë shumë të motivuar. Kështu që duhet të gjejnë balancat dhe të kenë impenjimin maksimal dhe motivimin optimal për të marrë maksimumin.

Trajnerit i kam thënë që duhet ta përgatisim dhe ta jetojmë si një ndeshje futbolli, kundër një kundërshtari me kualitet, kundër një kundërshtari që ne duam t’i marrim fitoren dhe të marrim vendin e 2-të. Më e vështirë ndeshja këtu apo në Serbi? Mua më duket më e vështirë ndeshja këtu. Presioni është më i madh këtu. Ne kemi treguar që jashtë fushe kemi bërë ndeshje të mira. Kaq shumë ngarkesë ka kjo ndeshje, sa do ta dëshiroja po aq sa kualifikimi në botëror”, ka deklaruar kreu i FSHF-së.



Read it all at Bota Sot