Jack Grealish po distancohet gjithnjë e më shumë nga Manchester City. Pas fjalëve të trajnerit Pep Guardiola ditët e fundit, që konfirmoi një largim të mundshëm të tij, një tjetër e dhënë duket se po vjen për një të ardhme diku tjetër të mesfushorit.
Sipas “Sky Sports”, 30-vjeçari do të përjashtohet nga lista e 35 lojtarëve që do të nisen për në Shtetet e Bashkuara, për Botërorin e Klubeve. Turne ku skuadra e “citizens” do të përballen në grup me Juventus, Wydad Casablanca dhe Al Ain.
Nëse konfirmohet, ky përjashtim do të shënonte fundin e historisë midis Grealish dhe City, pavarësisht dy viteve të tjera të kontratës së tij në fuqi. I ardhur në vitin 2021 nga Aston Villa për një shifër që tejkalon 100 milionë euro, mesfushori me tipare sulmuese ka pasur një paraqitje jokonsistente në aventurën e tij.
Këtë sezon Grealish ka shënuar vetëm tre gola në 32 paraqitje në gara të ndryshme për një total prej 1521 minutash në fushë. Anglez mund të ndezë merkaton e verës duke qenë se si në Premier League ashtu edhe jashtë saj nuk mungojnë admiruesit të gatshëm për ta marrë.