Opozita ruse: Çdo politikan perëndimor duhet ta dijë se Putin i ka duart e përgjakura

- Bota Sot

Opozita ruse: Çdo politikan perëndimor duhet ta dijë se Putin i ka duart e përgjakura

Anëtarë të opozitës ruse, të cilët dolën sot para përfaqësuesve të Parlamentit Evropian, thanë se Rusia mund të dalë nga kontrolli autoritar i Vladimir Putin vetëm nëse Ukraina i mbijeton agresionit rus.

"Nëse doni të ndihmoni lëvizjen demokratike në Rusi, ju lutemi - shpëtojeni Ukrainën nga Putin", tha politikani i opozitës dhe ish-i burgosuri politik Ilya Yashin gjatë një fjalimi në Bruksel.

"Fitorja e Putin në Ukrainë vetëm sa do ta forconte regjimin e tij, do ta bënte atë edhe më agresiv dhe më të rrezikshëm. Do të krijonte një kërcënim shtesë për Evropën... Nuk do të ndalet vetëm në Ukrainë," shtoi ai.

Së bashku me Yashin, folën Yulia Navalny, e veja e Alexei Navalny, i cili vdiq në një burg Arktik në vitin 2024, dhe Vladimir Kara-Murza, një gazetar ruso-britanik dhe ish-i burgosur politik. Të tre ata kërkuan nga Bashkimi Evropian të rrisë ndihmën për Ukrainën dhe të thellojë bashkëpunimin me opozitën ruse.

"Putin burgos, torturon dhe vret kundërshtarët politikë... sulmon vendet fqinje, kryen krime të tmerrshme dhe ende po ecën lirisht. Pse nuk e kemi ndaluar? Pse jo ju? Mendoj se nuk i kemi bashkuar ende forcat," tha Yulia Navalny.

Ajo theksoi se agresioni i Putin nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet në Ukrainë.

"Nëse ai nuk do të kishte sulmuar Ukrainën, do të kishte qenë ndonjë vend tjetër fqinj. Për sa kohë që diktatori është në pushtet, ai nuk do të ndalet".

Yulia Navalny u dënua në mungesë në Rusi në vitin 2024 për “aktivitete ekstremiste” dhe aktualisht jeton në mërgim. Ndërsa Yashin dhe Kara-Murza u liruan vitin e kaluar në një shkëmbim të burgosurish të organizuar nga administrata e presidentit të atëhershëm amerikan Joe Biden.

Kara-Murza, tha se administrata e re amerikane nuk po bën më të njëjtat përpjekje për të ndihmuar të burgosurit politikë dhe se një retorikë e tillë dobëson luftën kundër regjimit të Putin, raporton KosovaPress.

"Shumë shpesh dëgjojmë histori nga Uashingtoni, Budapesti dhe gjetkë: "Le të rivendosim marrëdhëniet, le të kthehemi në mënyrën e vjetër". Shpresoj që çdo politikan që dëshiron ti shtrëngojë dorën Putin e di se ajo dorë është e përgjakur. Kur e keqja nuk dënohet publikisht, ajo kthehet - kjo ndodhi në Rusi në vitet 1990, kur askush nuk u mbajt përgjegjës për të kaluarën”, tha Kara-Murza.



Read it all at Bota Sot