Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS) kanë vendosur ta largojnë ekipin kombëtar rreth 10 kilometra në drejtimin e kundërt të rezidencës së menduar në Tiranë, për ndeshjen e 7 qershorit ndaj kuqezinjve.
Serbia refuzon “ashensorin” për në stadium!
Baza do të jetë hoteli “Hilton”, i cili ndodhet rreth 20 minuta me makinë nga stadiumi “Air Albania”.
Vendimi është marrë më herët, edhe pse në disa qarqe në Shqipëri është përhapur informacioni se bëhej fjalë për një ndryshim të papritur të destinacionit.
“Hotelin e kemi zgjedhur me kohë, para tre muajsh.
‘Marriott’ është vendi ku qëndron kombëtarja e Shqipërisë dhe ne as që e kemi marrë parasysh atë opsion.
Zgjodhëm ‘Hilton’, në një vend të qetë të qytetit…”, – shpjeguan për “Danas” nga Federata e Futbollit të Serbisë.
Ky hotel i veçantë, që ngrihet mbi një objekt madhështor, zakonisht pret përfaqësueset mysafire. Një natë qëndrimi në ditën e ndeshjes në “Marriott” kushton 1.000 euro.
Mendohet se në FSS ka dashur t’i vendosë lojtarët e vet në një vend disi më të qetë, edhe pse në hotelin fillimisht të përzgjedhur do të kishin pasur mundësinë të shkonin në fushën e lojës thjesht me ashensor.
Tradicionalisht, bashkë me ekipin e Serbisë do të jetë edhe kuzhinieri, për të respektuar deri në detaje programin ushqimor.
Serbia do të stërvitet të premten në Tiranë dhe pas mbërritjes do të kalojë një kohë të caktuar në autobus.
Në kryeqytetin shqiptar ka trafik të madh. Lehtësim do të jetë festa e Bajramit, pasi një pjesë e popullsisë në Shqipëri do të qëndrojë në shtëpi me këtë rast. Për këtë arsye, të premten pasdite nuk pritet të jetë trafiku i zakonshëm i orëve të pikut.