Ardian Ismajli do të përjetojë një verë ndryshe pasi të mbyllë ndeshjet me Kombëtaren shqiptare të futbollit.
Mbrojtësi i kuqezinjve, do të ndërrojë skuadër gjatë kësaj vere dhe ditët pas grumbullimit kuqezi, do t’i kalojë duke mbyllur negociatat me atë që pritet të jetë klubi i tij i ri.
Sipas mediave turke, futbollisti ka një akord parimor për t’iu bashkuar një emri shumë të njohur si Beshiktash, i cili synon të përforcohet për edicionin e ardhshëm me lojtarë të nivelit të lartë.
Ismajli është një “okazion” për çdo klub, meqë pas 30 qershorit është futbollist i lirë, pasi mbyll kontratën me Empolin në Serinë A.
Futbollisti ka marrë disa oferta, por raportohet se tundohet nga fakti se klubi i Beshiktash synon të shkojë në fazën në grupe të kompeticioneve europiane dhe Ismajli dëshiron të provojë një eksperiencë të tillë.
Ndaj palët janë drejt arritjes së një akordi, për të finalizuar së shpejti këtë transferim.