Gjatë një interviste dhënë për numrin e sotëm të “Gazzetta dello Sport”, Fabio Capello analizoi kalendarin e Milanit, i cili nga java e pestë deri në të 13-ën do të përballet me 7 skuadrat më të mira të sezonit të kaluar:
“Një tur përpjekjesh ekstreme, por me një avantazh.
Kuqezinjtë nuk do të kenë angazhime në kupat europiane, ndërsa rivalët e drejtpërdrejtë pikërisht në atë periudhë do të jenë shpesh të zënë me Europën.
Allegri do të duhet të bëjë një punë të madhe, Milani e mbylli sezonin në vendin e 8-të, ndaj ka shumë gjëra për t’i sistemuar”.
Ish-trajneri kuqezi u ndal edhe te rrugëtimi i Napolit, që me shumë gjasa do të jetë sërish një nga favoritët për titull:
“E shoh si favorit ose diçka e afërt me këtë status. Nëse ke fituar titullin, nuk mund ta nisësh ndryshe sezonin pasues veçse si skuadra për t’u mundur, sidomos nëse, siç lexoj, De Laurentiis ka në mendje të bëjë një merkato të madhe dhe të shtojë në ekip lojtarë të kalibrit të De Bruyne.
Unë besoj se e vetmja pengesë për kampionatin e Napolit mund të jetë qëndrimi gjithmonë në formë të lartë, duke pasur parasysh rikthimin për të luajtur edhe në Europë. Pritshmëritë në Champions do të jenë të larta, teksa nuk do të jetë e lehtë për Conte të shkëlqejë në disa fronte njëkohësisht”.