Fillim zhgënjyes i Belgjikës në kualifikueset europiane për Kupën e Botës 2026. Kombëtarja e drejtuar nga Rudi Garcia, ish-trajner i Napolit dhe Romës, nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Maqedonisë së Veriut, duke humbur dy pikë të vlefshme në debutim. Belgjika do të kërkojë të reagojë të hënën, më 9 qershor, ndaj Uellsit.
Pas ndeshjes, Garcia deklaroi për gazetën belge “Het Laatste Nieuws”: “Janë dy pikë të humbura, edhe pse nuk luajtëm mirë. U mbështetëm shumë te kreativiteti i Doku, por duhej të rrisnim ritmin”.
Trajneri francez theksoi gjithashtu se gjendja fizike e skuadrës nuk ishte optimale, veçanërisht e Kevin De Bruyne, i cili u zëvendësua në minutën e 57-të nga Tielemans:
“Kevin nuk është në formën e tij më të mirë. Është qershor, lojtarët nuk janë 100%. Ishte e vështirë për të, që të luante dy ndeshje të plota në katër ditë. Kishte edhe shumë vapë”.
Deklaratat e tij kanë shkaktuar reagime të ashpra në Belgjikë, me një pjesë të opinionit që e sheh si të papërshtatshme ekspozimin publik të problemeve fizike të liderit të skuadrës, veçanërisht në një moment të vështirë.