Thirri protestën e parë më 3 nëntor të vitit të kaluar, pas shembjes së çatisë së trenit në Novi Sad që la të vdekur 16 persona. Nikola Ristiq nga shoqëria civile “SviCe” është i bindur që protestat në Serbi do të vazhdojnë edhe për një kohë të gjatë.
Në 1 nëntor 2024, një tragjedi e rëndë ndodhi në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, kur një pjesë e çatisë së një stacioni të trenit në Novi Sad u shemb papritur, duke shkaktuar vdekjen e 16 personave dhe plagosjen e disa të tjerëve. Ky incident nxiti një valë protestash në të gjithë Serbinë, të udhëhequra kryesisht nga studentët, të cilët kërkonin përgjegjësi për këtë ngjarje dhe denonconin korrupsionin dhe paaftësinë e institucioneve shtetërore.
Në një intervistë për KosovaPress, Ristiq thotë se edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e vetëdijshme për situatën në Serbi, përfshirë institucionet e korruptuara.
Ristiq: Kemi hyrë në fazën e katërt të këtyre protestave
“Unë personalisht jam më shumë se 10 vjet në rrugët e Serbisë, kam marrë pjesë në llojet më të ndryshme të protestave, por ajo që ndoshta është më interesante për njerëzit tani janë këto protesta aktuale që po vazhdojnë për gati shtatë muaj, dhe ato disi vazhduan menjëherë me atë që ndodhi më parë në Serbi dhe gërmimit të litiumit, dhe në mes të asaj lufte ndodhi ajo rënia e strehës dhe atëherë filluan këto protesta më të mëdha masive deri më tani. Rastësisht, unë isha personi që thirri protestën e parë më 3 nëntor të vitit të kaluar, dhe që andej filloi të përhapet më tej. Sinqerisht mendoj se këto protesta do të vazhdojnë për një kohë të gjatë sepse, sipas llogaritjeve të mia, ne kemi hyrë vetëm në fazën e katërt ose të pestë të këtyre protestave”, thotë ai.
Protestat fillimisht u zhvilluan në Novi Sad, por shpejt u përhapën në shumë qytete të tjera të Serbisë. Mijëra qytetarë, përfshirë studentë, punëtorë dhe qytetarë të zakonshëm, u bashkuan në kërkesën për përgjegjësi dhe ndryshim politik.
Ristiq: Studentët kërkojnë zgjedhje, shpresojmë të arrijmë atë që na nevojitet
“E kemi pasur atë fazën e parë ku kemi tentuar t’i nxjerrim njëzet në rrugë, pastaj kemi ardhur në situatë që studentët të hynë në bllokada dhe kjo disi e rriti atë lëvizje para së gjithash nga rrethet studentore, dhe pastaj edhe qytetaret tjerë filluan të bashkohen posaçërisht përmes atyre shëtitjeve, bllokimeve afatgjate të rrugëve kryesore dhe të ngjashme, dhe tani po hyjmë në këtë fazë në të cilën studentët kërkojnë zgjedhje, kështu që shpresoj se kjo fazë do të ketë sukses për të nxjerrë atë që na nevojitet, dhe sa kohë do të zgjasë, sinqerisht mendoj se edhe shumë gjatë”, tregon ai.
Propaganda dhe dezinformimi janë ndër problemet më të mëdha në Serbi, të cilat për aktivistin serb, e bëjnë këtë vend të renditet më së larti në gjithë botën sa i përkët kësaj cështjeje.
Në konferencën rajonale POINT 13, që u mbajt javën e kaluar në Sarajevë, u tha se pushteti i presidentit serb, Aleksandër Vuciq po lufton në cdo formë protestat e studentëve, duke mohuar atë që po ndodh realisht atje.
Nikola Ristiq thotë se kjo tregon se i gjithë regjimi në Serbi bazohet në dezinformim.
Ristiq: Regjimi në Serbi është i bazuar i gjithi në dezinformim
“Në përgjithësi, Serbia ka një problem të madh me propagandën dhe dezinformomi i regjimit, në parim do të thosha se Serbia është ndoshta numri një në Evropë në këtë çështje, dhe mendoj se ne renditemi lart edhe në të gjithë botën. E gjithë strategjia e komunikimit të regjimit tonë për më shumë se 10 vjet është e bazuar në dezinformimin e publikut, të shqetësoj qytetarët dhe t’i mbingarkojë me informacione të ndryshme ose gjysmë-informacione, dhe në fund të fundit edhe me dezinformata, në mënyrë që të vijë në situatë që qytetarëve të mos iu interesojë asgjë, të mos mendojnë se ku shkojnë paratë e tyre, kush emërohet në pozicione të caktuara, a jemi një shoqëri e drejtë, a ka sundim të ligjit e të ngjashme, kështu që do të thosha se i gjithë regjimi ynë në fakt bazohet në dezinformim”, thekson Ristiq.
Mes pakënaqësisë në rritje të publikut për trajtimin e tragjedisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në janar të këtij viti dorëheqje dhan kryeministri serb Millosh Vuçeviq dhe kryetari i Komunës së Novi Sadit, Milan Gjuriq.
Megjithëe thotë se regjimi serb ka dhënë shenja të frikës përballë fuqisë së protestave, Ristiq thekson nevojën urgjente që Bashkimi Evropian të reflektojë për situatën në Serbi.
Ristiq: Pushteti serb është i frikësuar
Do të thosha se qeveria dhe i gjithë regjimi janë të frikësuar në këtë moment, dhe këtë e pamë nga dorëheqja e Milos Vuçeviq si kryeministër dhe ky rikonstruktim të qeverisë, i cili në fakt nuk është një rikonstruktim i vërtetë i qeverisë. Por ne shohim se për herë të parë regjimi po bën lëshime të caktuara, gjë që nuk ishte rasti me protestat e mëparshme, kështu që këtë herë duket se ata nuk kanë zgjidhje, dhe se të gjitha taktikat që përdorën si disa nga taktikat e tyre për të grindur njerëzit midis tyre, për ti akuzuar, për ti diskredituar ata në publik, me manovra të ndryshme spiunazhi, me dezinformim dhe fushata kundër pjesëmarrësve të protestave, këtë herë duket se nuk po ju shkon për dore, kështu që mendoj se me të vërtet kanë arsye për të qenë të frikësuar.”
Ristiq: BE të kuptojë se aleati i vërtetë i saj në Serbi janë qytetarët e jo institucionet
“Mbi të gjitha, mendoj se është e rëndësishme që qytetarët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të kuptojnë se ajo që po ndodh në Serbi nuk është korrupsion lokal, por korrupsion global... Është e rëndësishme që institucionet e Bashkimit Evropian të jenë të vetëdijshme se kanë një aleat shumë më të madh midis qytetarëve të Serbisë, midis njerëzve rebelë, midis aktivistëve, midis studentëve, sesa midis institucioneve me të cilat ata në të vërtetë po përpiqen të bashkëpunojnë, mendoj se edhe ata e kanë të qartë se ky bashkëpunim është shumë i njëanshëm”, thotë në fund Ristiq.