Tensionet politike në Spanjë kanë marrë një tjetër kthesë këtë fundjavë, pasi mijëra qytetarë mbushën rrugët e Madridit për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit Pedro Sánchez. Protesta u organizua nga Partia Popullore (PP), me thirrjen për zgjedhje të parakohshme dhe me sloganin “Mafia apo Demokraci”.
Sipas autoriteteve lokale, në protestë morën pjesë rreth 45.000 deri në 50.000 qytetarë, ndërsa organizatorët pretendojnë se numri i pjesëmarrësve kalonte 100.000.
Shkak për këtë valë pakënaqësie janë akuzat për korrupsion që kanë përfshirë jo vetëm Partinë Socialiste (PSOE), por edhe familjarë të afërt të kryeministrit, përfshirë bashkëshorten e tij Begoña Gómez, vëllain David Sánchez dhe ish-ministrin e Transportit José Luis Ábalos.
Një ish-anëtare e PSOE-së, Leire Díaz, që doli në qendër të vëmendjes pas rrjedhjes së disa audio-regjistrimeve, mohoi përfshirjen në ndonjë skandal dhe deklaroi se po përgatiste një libër mbi korrupsionin.
Kreu i opozitës, Alberto Núñez Feijóo, u bëri thirrje qytetarëve për një “revolucion të ndershmërisë dhe lirisë”, si në rrugë ashtu edhe në kutitë e votimit. “Zoti Sánchez, ndaloni së fshehuri dhe së gënjyeri. Askush nuk votoi për këtë situatë – madje as mbështetësit tuaj,” deklaroi ai.
Nga ana tjetër, kryeministri Pedro Sánchez reagoi duke e cilësuar gjithçka si një “fushatë ngacmimi dhe frikësimi” ndaj tij dhe familjes së tij, duke theksuar se qëllimi është rrëzimi i tij personal dhe politik me akuza të pabazuara.