Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit, e cila u mbyll në barazim pa gola, ka tërhequr vëmendje të madhe në mediat ndërkombëtare.
Një prej tyre, prestigjiozja “The Guardian”, ka pasqyruar në detaje atë që ndodhi në “Air Albania”, por edhe në kryeqytetin shqiptar gjatë ditës së ndeshjes.
Në artikullin e medias britanike, thuhet se ndeshja kishte tension të lartë dhe masa të rrepta sigurie. Momenti kyç cilësohet penalltia e humbur nga Rey Manaj. “The Guardian” shkruan se, ndonëse nuk pati incidente madhore, atmosfera ishte e ngarkuar brenda dhe jashtë stadiumit, me tifozë të organizuar që shprehën hapur pakënaqësitë ndaj kundërshtarëve.
Artikulli thotë se barazimi dhe përfundimi pa incidente të rënda konsiderohet një sukses në krahasim me përplasjet e mëparshme mes dy vendeve.
Përmendet gjithashtu simbolika politike në tribunë dhe reagimet e tifozëve gjatë himnit serb. Në aspektin sportiv, “The Guardian” thekson se asnjëra skuadër nuk tregoi nivel që mund të rrezikojë Anglinë në Grupin K.