Ukraina ka konfirmuar se javën e ardhshme do të zhvillohet një shkëmbim i të burgosurve dhe trupave të ushtarëve me Rusinë, pas një periudhe tensioni dhe akuzash të ndërsjella për vonesa në këtë proces.
Lajmin e bëri të ditur kreu i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kirilo Budanov, i cili theksoi se kthimi i të burgosurve dhe trupave të rënë në fushëbetejë do të realizohet sipas marrëveshjes së arritur në bisedimet e fundit në Stamboll.
“Sipas rezultateve të bisedimeve, procesi i riatdhesimit është planifikuar të nisë javën e ardhshme. Gjithçka do të zhvillohet siç është parashikuar,” deklaroi Budanov, duke akuzuar palën ruse për “lojëra komunikimi” dhe përpjekje për të krijuar konfuzion rreth procesit.
Shkëmbimet e të burgosurve kanë qenë një nga çështjet më të ndjeshme gjatë luftës mes Ukrainës dhe Rusisë, ndërsa zbatimi i tyre shpesh është vonuar për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe teknike mes palëve.