Autoritetet lokale në qytetin Oş të Kirgistanit kanë hequr një nga monumentet më ikonike të epokës sovjetike, një statujë gjigante prej rreth 25 metrash e Vladimir Leninit, që konsiderohej si më e larta në të gjithë Azinë Qendrore.
Statuja ishte vendosur në qytet që prej vitit 1975, kur Kirgistani ishte ende pjesë e Bashkimit Sovjetik. Vendimi për heqjen e saj u mor nga këshilli bashkiak i qytetit dhe u realizua në mënyrë të heshtur gjatë natës. Autoritetet vendore e cilësuan lëvizjen si një “praktikë të zakonshme” për përmirësimin e estetikës dhe arkitekturës urbane, duke shmangur çdo koment politik mbi simbolikën e saj.
Në vend të statujës do të vendoset një shtyllë flamuri, një veprim që ndjek precedentët e mëparshëm në kryeqytetin Bishkek, ku një tjetër monument i Leninit u zëvendësua në mënyrë të ngjashme.
Pavarësisht përpjekjeve për të çrrënjosur simbolet sovjetike nga hapësirat publike, figura e Leninit vijon të mbetet e pranishme në disa pjesë të Kirgistanit. Përveç monumenteve të tjera të tij që qëndrojnë ende në qytete të ndryshme, emri i Leninit mban edhe një nga pikat më të larta malore të vendit – maja “Lenin Peak”.
Kjo lëvizje vjen në një kontekst më të gjerë të vendeve ish-sovjetike që kërkojnë të forcojnë identitetin e tyre kombëtar dhe të zëvendësojnë trashëgiminë sovjetike me figura dhe simbole vendase.