Këto janë pensionet pas 45 viteve punë në Gjermani

- Bota Sot

Këto janë pensionet pas 45 viteve punë në Gjermani

Sa është pensioni në Gjermani pas 45 vitesh kontribute? Llogaritjet e reja zyrtare tregojnë se një punëtor me kohë të plotë me një pagë mesatare mund të presë një pension prej pak më shumë se 1,600 euro neto. Megjithatë, shumica e pensionistëve nuk e arrijnë këtë shumë në praktikë dhe ndryshimet midis tyre janë të mëdha, veçanërisht kur krahasohen pensionet e burrave dhe grave.

Nga 1 korriku 2025, vlera e një koeficienti pensioni në Gjermani do të jetë 40,79 euro. Një person që ka punuar për 45 vjet dhe ka fituar një pikë të plotë pensioni çdo vit do të marrë një total prej 1,835,55 euro bruto në muaj. Pas zbritjes së kontributeve për sigurimin shëndetësor dhe sigurimin e kujdesit afatgjatë, mbeten rreth 1,621 euro neto, dhe disa pensione janë ende subjekt i taksimit, shkruan Index.hr, transmeton KosovaPress.

Vlerësimet për Gjermaninë sugjerojnë se për të shmangur varfërinë në pleqëri, nevojiten midis 1,464 dhe 2,100 euro në muaj, varësisht nga rajoni dhe kostoja e jetesës. Sipas këtyre shifrave, pensioni "standard" gjerman mbulon kufirin e poshtëm të asaj që nevojitet për një jetë normale.

Edhe pse publiku shpesh thekson shumën e një pensioni të plotë pas 45 vitesh shërbimi, shumat aktuale që marrin pensionistët janë dukshëm më të ulëta.

Sipas të dhënave zyrtare nga sigurimi gjerman i pensioneve, në vitin 2023, burrat morën mesatarisht 1,348 euro pension pleqërie, ndërsa gratë morën vetëm 908 euro. Në të njëjtën kohë, pensioni standard i llogaritur ishte 1,692 euro bruto.

Me fjalë të tjera, një burrë mesatarisht merr rreth 340 euro më pak se pensioni standard, ndërsa për gratë diferenca është deri në 784 euro. Arsyet janë të shumta, nga ndërprerjet në shërbim, puna me kohë të pjesshme, deri te periudhat më të gjata të papunësisë ose kujdesi për fëmijët.

Si rezultat, pothuajse një në shtatë pensionistë në Gjermani sot vlerësohet se jeton nën kufirin e varfërisë. Shifrat zyrtare tregojnë se 17 përqind e të moshuarve nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar me dinjitet, pavarësisht dekadave të pagesës së kontributeve./



Read it all at Bota Sot