Dhomat e Specializuara në Hagë u kanë zgjatur masën e paraburgimit Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Bashkim Smakajt, të cilët akuzohen për vepra kundër administrimit të drejtësisë, së bashku me Hajredin Kuçin.
Sipas vendimeve të gjyqtares së procedurës paraprake, Marjorie Masselot, ekziston rrezik që Thaçi të arratiset, të pengojë procedurat dhe të kryejë krime të tjera. Gjykata thekson rëndësinë e veprave për të cilat akuzohet dhe njohuritë e reja që ai ka marrë mbi provat.
“Rreziku i arratisjes në lidhje me z. Thaçi vazhdon të ekzistojë”, thuhet në vendim.
Për Smakajn, gjithashtu u konstatuan rreziqe të ngjashme. As garancia prej 30 mijë euro dhe kufizimet në komunikim nuk bindën gjykatën për lirimin e tij me kusht.
“Asnjë nga kushtet nuk mund t’i zbusë në mënyrë të mjaftueshme rreziqet ekzistuese”, thuhet në arsyetim.