Trajneri i Brentford drejt stolit të Tottenham Hotspur

- Bota Sot

Trajneri i Brentford drejt stolit të Tottenham Hotspur

Thomas Frank është objektivi kryesor i Tottenham për pozitën e trajnerit të parë, pas largimit të Ange Postecoglout, i cili është shkarkuar të premten, pavarësisht se i kishte dhënë fund një periudhe shtatëmbëdhjetë vjeçare pa trofe, duke fituar Europa League muajin e kaluar.

Sipas disa raportimeve nga mediat britanike, përfshirë BBC, klubi nga Londra veriore pritet të bëjë një ofertë zyrtare ndaj Brentford në ditët në vijim për të siguruar shërbimet e trajnerit danez, i cili ka kontratë me klubin aktual deri në vitin 2027. Kompensimi që "Spurs" do të duhet të paguajë për ta liruar Frank llogaritet rreth dhjetë milionë funta. 

Thomas Frank është trajner i Brentford që nga viti 2018 dhe njihet për ngritjen e klubit nga Championship në Premier League në vitin 2021, pas një mungese prej shtatëdhjetë e katër vitesh në elitën angleze. Që nga atëherë, ai ka siguruar stabilitet për "Bletët", duke përfunduar sezonet në vendet e trembëdhjetëtë, nëntë, gjashtëmbëdhjetë dhe së fundmi në vendin e dhjetë, pavarësisht shitjes së vazhdueshme të disa prej lojtarëve kryesorë.

Frank, i cili karrierën e kishte nisur në sektorin e të rinjve të kombëtares daneze dhe më pas në Brondby, fillimisht i ishte bashkuar Brentford si ndihmës-trajner, për ta pasuar Dean Smithin kur ky i fundit kishte kaluar te Aston Villa.

Ndërkohë, Tottenham do të marrë pjesë në Champions League sezonin e ardhshëm falë triumfit të tyre në finalen e Europa League në Bilbao, ku e kanë mposhtur Manchester United me rezultat 1-0.

Gjithashtu raportohet se Thomas Frank ka dëshirë ta marrë me vete në Tottenham yllin kamerunas të Brentford, Bryan Mbeumo, i cili këtë sezon ka shënuar njëzet gola në Premier League dhe është edhe në radarin e Manchester United.



Read it all at Bota Sot