Chelsea transferon mbrojtësin e Strasbourg

- Bota Sot

Chelsea transferon mbrojtësin e Strasbourg

Klubi anglez Chelsea ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e mbrojtësit francez Mamadou Sarr nga skuadra franceze Strasbourg, me një kontratë afatgjate që do të zgjasë tetë vite.

Ndonëse detajet financiare nuk janë bërë publike nga klubi, mediat britanike raportojnë se marrëveshja është mbyllur për rreth 14 milionë euro.

Prurja e Sarr shihet si një investim për të ardhmen, në përputhje me strategjinë e klubit për të ndërtuar një skuadër të re me talente të reja dhe perspektivë afatgjate.

Nëntëmbëdhjetë vjeçari është qendërmbrojtës dhe djali i ish-reprezentuesit të Senegalit, Pape Sarr. Ai ishte transferuar te Strasbourg nga Olympique Lyonnais në gusht të vitit të kaluar, duke zhvilluar njëzet e tetë paraqitje në Ligue 1 gjatë sezonit të fundit dhe duke treguar pjekuri e qëndrueshmëri në prapavijë.

Pavarësisht moshës së re, ai është konsideruar si një prej talenteve më premtues në futbollin francez dhe ka përfaqësuar kombëtaren e Francës U19 në arenën ndërkombëtare.

Chelsea dhe Strasbourg janë pjesë e të njëjtit rrjet pronësie, pasi klubi francez është blerë nga konsorciumi "BlueCo", i udhëhequr nga Todd Boehly, në vitin 2023. Kjo ka lehtësuar lëvizjen e Sarr drejt Londrës.

Chelsea pritet ta nisë garën në Botërorin e klubeve më 16 qershor, ku në ndeshjen e parë përballet me Los Angeles FC.



Read it all at Bota Sot