Superkompjuteri i “Opta”-s ofron edhe një herë parashikimin e tij se kush ka shansin më të mirë për të fituar Kupën e Botës për Klube.
Ai e bën këtë me një model parashikues të bazuar në 10,000 simulime, rezultatet e të cilave ofrojnë një pamje të plotë të asaj që mund të ndodhë midis 14 qershorit dhe 13 korrikut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për herë të parë, FIFA ka bashkuar 32 ekipe nga gjashtë konfederata për Kupën e Botës për Klube. Turneu fillon në stadiumin “Hard Rock” në Majami dhe përfundon me finalen e madhe në stadiumin “MetLife” në Nju Xhersi. Kompeticioni përfshin ekipe kryesore, si: PSG-ja, Reali i Madridit, Mançester Siti dhe Bajerni i Mynihut, së bashku me rivalë më ekzotikë, si: Boka Xhuniors, River Plejt, Palmeiras dhe Al-Hilal. Tri klube të MLS-së do të jenë gjithashtu të pranishme: Inter Majami i Lionel Mesit, Siatëll Saunders dhe Los Angeles FC.
KAMPIONËT E EUROPËS – Paris SG-ja është favoritja e madhe me 18.5% shanse për të fituar turneun. Pasi fitoi Ligën e Kampioneve me një fitore të thellë 5-0 ndaj Interit, skuadra e Luis Enrikes po shkon në paraqitjen e tyre të parë në Kupën e Botës për Klube me energji. Grupi që ndajnë me Atltikon e Madridit, Botafogon dhe Siatëllin pritet të jetë sfidues. Megjithatë, PSG-ja arrin në raundin e 1/16 në 91.6% të simulimeve, çerekfinalet në 75.4% dhe gjysmëfinalet në 49.2%. Mançester Siti (17.8%) është shumë afër.
Pavarësisht sezonit 2024-25 pa asnjë titull të rëndësishëm, skuadra e Guardiolës është skuadra me shanset më të mira për të arritur në 16 të fundit (97.2%). Në Grupin G, ata ndajnë skenën me Juventusin dhe kanë 71.3% shanse për të përfunduar të parët. Bajerni i Mynihut (12.8% shanse) shfaqet si pretendenti i tretë. Kampionët e Bundesligës shpresojnë për një nisje të fortë kundër Oklans Siti (i renditur i 4,960-ti në renditjen globale të “Opta”-s!). Grupi i tyre, që përfshin Benfikën dhe Boka Xhuniors nuk do të jetë i lehtë, por bavarezët kanë 93.3% shanse për të avancuar. Interi, finalist i Ligës së Kampioneve është i katërti në parashikime (12.3%). Me Simone Inzagin që është tashmë te Al-Hilal, skuadra italiane do të kërkojë të kryesojë Grupin E (79% shanse për ta arritur këtë) dhe të konfirmojë shanset e saj prej 74.4% për të arritur në çerekfinale. Reali i Madridit kompleton pesëshen e parë (9.8%). Pas një sezoni të dobët, ata vijnë me Ksabi Alonson në krye dhe disa nënshkrime të rëndësishme. Për më tepër, Mbape zbret me shigjetën që tregon lart si fituesi i fundit i “Këpucës së Artë”. Grupi H duket i kalueshëm me një shans prej 76.4% për ta mbyllur në vendin e parë.
DYTËSORËT – Ndër pretendentët dytësorë janë Dortmundi (5.4%), Atletiko e Madridit (5.1%), Juventusi (3.6%) dhe Benfika (3.3%). Dortmundi ka një rrugë të mundshme të shtruar drejt çerekfinaleve (61.1%), ndërsa Atletiko mund të përfitojë nga një short i lehtë në raundin e 16-ve. Jashtë 10 vendeve të para, vetëm Porto (0.6%) e tejkalon pragun e shanseve prej 0.5%. Të 11 favoritët janë europianë dhe pritet që trendi historik (17 nga 18 kampionët e fundit ishin kampionë të UEFA-s) të vazhdojë.
Leo Mesi – Ndër ekipet me potencial për të surprizuar janë: Al-Hilal, Inter Majami, River Plejt, Palmeiras dhe Flamengo. Al-Hilal, me Inzagin dhe lojtarë si Mitroviç dhe Ruben Nevesh, ka 50.5% shanse për të vazhduar tutje. Inter Majami, i udhëhequr nga Lionel Mesi garon në grupin A të ekuilibruar me Porton, Palmeiras dhe Al Ahli.