Ambasadori Ajeti për Bukoshin: Jeta nuk u tregua bujare me Bujarin vetëm edhe për dy ditë

- Bota Sot

Ambasadori Ajeti për Bukoshin: Jeta nuk u tregua bujare me Bujarin vetëm edhe për dy ditë

Mëngjesin e sotëm u dha lajmi për vdekjen e ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi.

Për vdekjen e tij kanë ngushëlluar shumë figura publike, në mesin e të cilëve edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Në postimin e tij në Facebook, u shpreh shumë i pikëlluar me vdekjen e Bukoshit, teksa tha se sikur të mund të priste vetëm edhe dy ditë kur pritet të bëhet zbulimi i pllakatës përkujtimore në ndërtesën ku ishte e vendosur Qeveria në ekzil e Republikës së Kosovës gjatë viteve 1995–1999, në qytetin e Bonit, “qeveri të cilën pjesën më të madhe ai e drejtoi nga Gjermania”.

Ky është postimi i tij:

Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Dr. Bujar Bukoshi.

Duke qenë një nga figurat kyçe të periudhës së shtetformimit të Kosovës, si Kryeministër i Qeverisë në ekzil dhe njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Presidentit historik Ibrahim Rugova, ai luajti një rol të rëndësishëm në përfaqësimin dhe çlirimin e popullit të Kosovës në kohë të vështira nën regjimin serb.

Kontributi i tij në shërbim të vendit do të mbetet pjesë e rëndësishme e kujtesës sonë kolektive dhe institucionale.

Ndjej keqardhje që jeta nuk u tregua bujare me Bujarin vetëm edhe për dy ditë — në zbulimin e pllakatës përkujtimore në ndërtesën ku ishte e vendosur Qeveria në ekzil e Republikës së Kosovës gjatë viteve 1995–1999, në qytetin e Bon-it, qeveri të cilën pjesën më të madhe ai e drejtoi nga Gjermania.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Bukoshi!

Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!



Read it all at Bota Sot