Ja pse ndodhi rebelimi i lojtarëve të Polonisë kundër Lewandowskit

- Bota Sot

Ja pse ndodhi rebelimi i lojtarëve të Polonisë kundër Lewandowskit

Robert Lewandowski ka njoftuar se nuk do të luajë më me Poloninë derisa trajneri Michal Probierz të largohet nga detyra.

Marrëdhënia mes të dyve është krejtësisht e prishur pas vendimit të teknikut për t’i hequr atij shiritin e kapitenit, gjithçka tregon se pajtimi është i pamundur.

Media të ndryshme polake raportojnë për një rebelim të vërtetë kundër sulmuesit të Barcelonës, me detajin tronditës: lojtarët kanë duartrokitur në këmbë kur Probierz u tha se i kishte hequr shiritin Lewandowskit.

Divorci mes yllit të Barcelonës dhe një pjese të rëndësishme të shokëve të skuadrës duket total.

Ka shumë versione mbi atë që ka ndodhur, por sipas mediumit “Meczyki”, gjithçka nisi në grumbullimin e marsit, kur Lewandowski vendosi ta kursente veten në ndeshjen ndaj Maltës për të ruajtur gjendjen fizike dhe të ishte në formë për Barcelonën, e cila kishte një ndeshje tri ditë më vonë.

Kjo vendimmarrje u prit keq, por akoma më keq u prit qëndrimi i tij: Lewandowski hyri në fund të ndeshjes dhe më pas kritikoi ashpër në dhomat e zhveshjes lojtarët dhe trajnerin për lojën e dobët të skuadrës. Nga aty nisën tensionet, pasi disa lojtarë e konsideruan sjelljen e tij arrogante ndaj grupit.

Situata u përkeqësua në grumbullimin e fundit, kur Lewandowski vendosi të mungonte në ndeshjet e kësaj jave, disa prej tyre të rëndësishme për të ardhmen e Polonisë. Vendimi i tij u prit keq si nga shokët e skuadrës, ashtu edhe publikisht, ndaj trajneri mori masa. Ai ia hoqi shiritin e kapitenit për t’ia dhënë Zielinskit.

Këtë vendim e komunikoi në një takim me skuadrën në hotelin “Crowne Plaza”, përpara ndeshjes së parë të kësaj “dritareje” kualifikuese ndërkombëtare. Reagimi i lojtarëve ishte unanim: duartrokitje për vendimin e Probierz, që tashmë mund të sjellë largimin përfundimtar të lojtarit më të rëndësishëm të historisë së fundit të Polonisë.

Çështja “Lewandowski” ka hapur një debat kombëtar në Poloni dhe gjithçka tregon se federata pritet ta mbështesë trajnerin në këtë konflikt, pasi përndryshe do të rrezikonin të humbnin shumicën e lojtarëve të grupit.

Ka mendime të ndryshme në vend, por ish-futbollisti Tomasz Hajto ishte i prerë: “Asnjë lojtar nuk është mbi kombëtaren, edhe Ronaldo apo Messi.

E gjitha kjo nuk do të kishte ndodhur nëse Lewandowski do të kishte shkuar në këtë grumbullim, edhe sikur të mos luante, për të pushuar. Janë marrë vendime shumë të këqija”.



Read it all at Bota Sot