Shqipëria kthehet në Riga pas 26 vjetësh, Tifozat Kuq e Zi do të jenë të pranishëm

- Bota Sot

Shqipëria kthehet në Riga pas 26 vjetësh, Tifozat Kuq e Zi do të jenë të pranishëm

Në mbrëmjen e sotme, Kombëtarja Shqiptare e futbollit do të zbresë në fushë për një nga ndeshjet kyçe të grupit në kualifikueset e Botërorit 2026, përballë përfaqësueses së Letonisë, në një transfertë që rikthen Shqipërinë në tokën letoneze pas plot 26 vitesh.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Skonto” të Rigës, një impiant modern, me kapacitet të kufizuar, por me atmosferë të zjarrtë.

IMPIANTI – Stadiumi “Skonto”, i vendosur në zemër të Rigës, është stadiumi i dytë më i madh në Letoni, me një kapacitet prej 8,087 ulësesh.

I ndërtuar në vitin 2000, ai ka shërbyer ndër vite si shtëpia e Skonto Riga, një prej klubeve më të njohura në futbollin letonez.

Infrastruktura e stadiumit përfshin gjithashtu sallone VIP, zyra administrative, hapësira për media dhe një bar-kafe, duke ofruar një përvojë të kompletuar për tifozët dhe vizitorët.

Kjo do të jetë hera e parë që Kombëtarja jonë do të luajë në këtë stadium, pasi përballja e fundit në Riga kundër Letonisë është regjistruar më 1999, në një impiant tjetër.

Kujtojmë se rekordi i pjesëmarrjes në këtë stadium është vendosur në vitin 2003, në sfidën eliminatore mes Letonisë dhe Turqisë për Euro 2004, ku morën pjesë rreth 9,000 spektatorë, duke tejkaluar kapacitetin përmes tribunave të përkohshme, shkruan Panorama Sport.

BILETAT DHE TIFOZËT – Interesimi për sfidën është rritur ndjeshëm në ditët e fundit. Sipas burimeve të gazetës, kanë mbetur shumë pak bileta për shitje, duke krijuar pritshmëri për një stadium të mbushur deri në vendin e fundit.

Çmimet e biletave kanë qenë të arsyeshme për standardet ndërkombëtare: 14 euro për biletën më të lirë dhe 40 euro për vendet më të mira.

Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë ndeshje, është prania e tifozëve shqiptarë në Riga.

Komuniteti shqiptar në vendet baltike, si dhe tifozë që kanë udhëtuar nga shtete të ndryshme të Europës, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Në një atmosferë që pritet të jetë e ngarkuar emocionalisht, “Tifozat Kuq e Zi” kanë paralajmëruar mbështetje për djemtë e Sylvinhos.



Read it all at Bota Sot