E rikthyer në majën e volejbollit shqiptar pas 12 vitesh, duke fituar titullin kampion, bashkë me Kupën e Shqipërisë, Tirana e femrave kërkon të mbetet lidere edhe në sezonin 2025-2026.
Skuadra bardheblu kanë nisur punën duke konfirmuar në ekip lojtaret më të mira vendore. Kështu pas rinovimit me “MVP”- në e kampionatit, Enkeleda Brahon, klubi bardheblu ka zyrtarizuar një tjetër rinovim me peshë për edicionin e ardhshëm.
Bëhet fjalë për liberon Eni Fagu, e cila do të vazhdojë të jetë pjesë kampioneve.
Lajmin e ka dhënë vetë klubi me anë të një publikimi në faqen zyrtare, teksa Fagu shfaqet duke firmosur kontratën në krah të drejtoreshës teknike të ekipit, Elma Meta.
“Zyrtare. Eni Fagu, liberoja e njohur shqiptare, ka rinovuar kontratën me ekipin e femrave të Klubit Shumë Sportësh Tirana për një vit tjetër.
Rinovimi i Eni Fagut është një lajm i rëndësishëm për tifozët e Tiranës, pasi ajo është një nga lojtaret më të spikatura në pozicionin e saj dhe një figurë kyçe në mbrojtjen e ekipit”, shkruan Tirana, duke bërë kështu të ditur marrëveshjen e re me liberon e mirënjohur të kampionatit shqiptar.