Nëna, djali i së cilës i mbijetoi masakrës në Graz: Më telefonoi dhe më tha se mendonte se do të vdiste

- Bota Sot

Nëna, djali i së cilës i mbijetoi masakrës në Graz: Më telefonoi dhe më tha se mendonte se do të vdiste

Një tragjedi e rëndë ka goditur qytetin e Grazit në Austri, ku një sulm me armë zjarri në një shkollë të mesme ka lënë të paktën 11 persona të vdekur, përfshirë autorin e krimit. Në mesin e viktimave raportohet se është edhe një vajzë nga Kosova.

Ndërkohë, nëna e njërit prej nxënësve që ka mbijetuar masakrën në shkollën e mesme në Graz, ka rrëfyer momentin tronditës kur djali i saj i tha se ishte në mes të të shtënave.

Ajo përshkroi me dhimbje frikën dhe pasigurinë që përjetoi gjatë asaj kohe dramatike.

“Më telefonoi nga shkolla dhe më tha që po qëllonin. Mendonte se do të vdiste. Ishte shumë i trembur dhe nuk dinte çfarë të bënte. Dy orë më vonë, pas një pritjeje të gjatë dhe të tmerrshme, më njoftuan se ishte gjallë dhe i sigurt,” tha ajo me zë të dridhur.

Ngjarja e rëndë ndodhi në një nga shkollat më të njohura në Graz, ku një 21-vjeçar, ish-nxënës i asaj shkolle, hapi zjarr në dy klasa të ndryshme.

Pas sulmit, ai u mbyll në tualetin e shkollës, ku më vonë autoritetet gjetën trupin e tij të pajetë, duke vënë kështu edhe fundin e tragjedisë.

Sipas informacioneve zyrtare, sulmuesi kishte sjellje shqetësuese në muajt e fundit dhe nuk kishte pasur kontakte me autoritetet për të kërkuar ndihmë. Policia dhe shërbimet e emergjencës arritën shpejt në vendngjarje dhe nisën evakuimin e nxënësve dhe stafit, ndërsa spitalet e zonës pranuan pacientët e plagosur.

Në sulm u plagosën të paktën 12 persona, disa prej të cilëve janë në gjendje kritike dhe po luftojnë për jetën në njësitë intensive.

Autoritetet kanë nisur hetimet për motivet e sulmit dhe po rishikojnë masat e sigurisë në shkolla për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.



Read it all at Bota Sot