Ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ervin Fakaj, mendon se Silvinjo duhej të kishte bërë një tjetër zgjedhje në sulm, ku i ka besuar vendin përsëri nga minuta e parë Rei Manajt.
Jo për penalltinë e humbur, por për situatën që po kalon sulmuesi që nuk është më optimalja.
“Për mendimin tim, që të mos e fusim në kornizën e ndeshjes së fundit, por në harkun e viteve të fundit, për mua është sulmues i parë. Është çështje shijesh.
Por nëse shihet historike i muajve të fundit, ka tre muaj që është jashtë skuadre.
Plus edhe një problem shëndetësor që kaloi para Serbisë dhe mendoj se mund ta kishte kursyer disi. Ne shohim çdo gjë nga jashtë, ai nga brenda, por një lojtar në kushte të tilla nuk është në maksimumin e vet”, tha Fakaj.