Prokuroria Speciale në Mal të Zi njoftoi të martën se pronari i kompanisë Rokshped Auto Qendra, Sander Stanaj, i cili nuk është i disponueshëm për autoritetet malazeze, dhe ish-zyrtari i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare në këtë vend, Dushko Golluboviq, dyshohet se i kanë shkaktuar Malit të Zi dëme prej së paku 18.2 milionë eurosh.
Provat e mbledhura ngrenë dyshime të arsyeshme se të pandehurit dhe persona të tjerë të panjohur janë pjesë e një organizate të organizuar kriminale, tha Prokuroria.
Sipas njoftimit, ata i siguruan organizatës kriminale një fitim të paligjshëm prej 18.2 milionë eurosh, në dëm të Malit të Zi, duke mos paguar detyrimet doganore, akcizat dhe taksat për së paku 23.580 pako cigaresh të kontrabanduara, gjatë viteve 2020 dhe 2021.
Qëllim i tyre thuhet se ishte të sillnin cigare pa doganë nga zona e lirë doganore e Portit të Tivarit dhe t’i shisnin ato në Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, Kroaci, Slloveni dhe Itali.
Në kuadër të një aksioni kundër kontrabandës së cigareve, policia speciale e Malit të Zi bastisi një ditë më herët kompleksin e vilave të familjes Stanaj në Lagjen Stari Aerodrom në Podgoricë.
Kjo familje është pronare e kompanisë Rokshped.
Rokshped është një nga disa perandoritë e biznesit në Mal të Zi.
Që nga viti 1992, ajo është e regjistruar për importin dhe eksportin e cigareve dhe është importuesja e vetme e autorizuar e një numri të madh markash të njohura të cigareve në Mal të Zi.
Më herët, kjo kompani ka tregtuar edhe naftë dhe derivate të saj, porse këtë biznes ia ka shitur kompanisë ruse, Lukoil, për 26.5 milionë euro.
Kompania tash merret edhe me shpërndarjen e shtypit.
Sander Stanaj është pronar i kompanisë Rokshped Auto Qendra, që është një distributore e autorizuar e markave të makinave Volkswagen, Audi e të tjera.
Në të njëjtën ditë kur u bastisën vilat e familjes Stanaj, policia, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Malit të Zi, arrestoi edhe ish-drejtorin e Rokshped-it, Prokopije Periq, dhe gjashtë persona të tjerë.
Shtatë të dyshuarve të arrestuar iu shqiptua masa e paraburgimit deri në 72 orë pas marrjes në pyetje.
Kundër tyre, si dhe kundër Golluboviqit, i cili është në paraburgim që më herët, si dhe shtatë personave të tjerë që janë në arrati ose të padisponueshëm për autoritetet shtetërore, janë dorëzuar kallëzime penale, nën dyshimet për krijimin e një organizate kriminale dhe kontrabandë cigaresh.
Në mesin e të padisponueshmëve për organet shtetërore, përveç Sander Stanajt, është edhe vëllai i tij, Nua, i cili është drejtor i Rokshped-it, dhe Andrija Petanoviq, pronar i farmacive të njohura në Podgoricë.
Prokuroria Speciale propozoi që të lëshohen urdhra arrestimi për ata që janë në arrati.
Ndaj të dyshuarve dhe personave të lidhur me ta është iniciuar një hetim financiar, ndërsa Prokuroria Speciale ua ndaloi disponimin e pasurive të paluajtshme.
Në njoftim thuhet, gjithashtu, se institucioneve financiare u është kërkuar ti bllokojnë pagesat nga llogaritë e tyre./REL