Shpërthen Hoxha: Lamtumirë Sylvinho, tash bëjeni çmimin e biletave 200 euro

- Bota Sot

Shpërthen Hoxha: Lamtumirë Sylvinho, tash bëjeni çmimin e biletave 200 euro

Gazetari Artan Hoxha ka reaguar me një postim të fortë në rrjetet sociale pas barazimit të dytë radhazi të Shqipërisë në kualifikueset për Kupën e Botës 2026, duke shprehur zhgënjimin e tij ndaj trajnerit të Kombëtares, Sylvinho.

“Respekte Silvinjo… Shumë faleminderit për kualifikimin surprizë në Europianin Gjermani 2024”, shkruan Hoxha në fillim të postimit, duke vlerësuar suksesin historik të arritur kundër Polonisë dhe Çekisë në Tiranë.

Megjithatë, ai kritikon ashpër trajnerin për rrëzimin nga Liga B në Ligën C të Ligës së Kombeve dhe për “shpërdorimin e një brezi të artë futbollistësh” që kishte në dispozicion për të tentuar kualifikimin në Botërorin e ardhshëm.

Artan Hoxha e cilëson si një gabim vendimtar mënyrën sesi Sylvinho e menaxhoi ndeshjen me Letoninë dhe akuzon trajnerin se “këmbënguli në gabim deri në marrëzi”, duke humbur një mundësi historike për të bërë realitet ëndrrën e shqiptarëve për Botërorin e Amerikës në vitin 2026.

Në fund të postimit të tij, gazetari nuk kursen ironinë edhe për çmimet e larta të biletave në “Arenën Kombëtare”, duke ironizuar se në ndeshjen e radhës me Letoninë, bileta mund të shkojë edhe 200 euro, dhe të luajnë vetë ata që vendosin.

“Faleminderit për gjithçka na dhe. Por tani, koha jote mbaroi”, përfundon mesazhin e tij Artan Hoxha.



Read it all at Bota Sot