FC Prishtina 01 është shpallur kampion i Kosovës në futsall për edicionin 2024/25, pas ndeshjes së tretë finale dramatike ndaj FC Drenica, e cila u zhvillua në një atmosferë të jashtëzakonshme dhe me shumë emocione në parketin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në kryeqytet. Bardhekaltrit arritën të sigurojnë titullin e tretë radhazi, duke fituar me gjuajtje penaltie pas një ndeshjeje spektakolare që përfundoi 3:3 në kohën e rregullt.
Në ndeshjen e parë në Rahovec, Prishtina 01 kishte pësuar humbje (4:1), por në ndeshjen e dytë në Skenderaj kryeqytetasit fituan pas vazhdimeve (7:6).
Kësisoj, titulli u vendos sonte në Prishtinë.
Takimi nisi fuqishëm për FC Prishtina 01, e cila kaloi në epërsi që në minutën e 6-të me golin e sulmuesit Fitim Krasniqi. Por vetëm një minutë më vonë, FC Drenica u kundërpërgjigj përmes Drilon Haxhijajt, duke barazuar rezultatin në 1:1 dhe duke vulosur një pjesë të parë dinamike, e cila përfundoi pa gola të tjerë.
Në pjesën e dytë, ishte sërish Fitim Krasniqi ai që riktheu epërsinë për prishtinasit në minutën e 23-të, por Drenica nuk u dorëzua dhe reagoi në minutën e 37-të me golin e barazimit nga Diar Deliu.
Në fundin e ndeshjes, Ryan Zapata e kaloi Drenicën në epërsi nga pika e bardhë, por nuk kishte përfunduar ende gjithçka.
Fitim Krasniqi, lojtari më i spikatur i finales, realizoi golin e tretë personal për t’i dhënë FC Prishtina 01 një barazim dramatik në minutat e fundit, 3:3.
Fituesi u përcaktua përmes gjuajtjeve nga penalltia, ku ekipi nga kryeqyteti tregoi më shumë përqendrim dhe qetësi, duke fituar me rezultat të përgjithshëm 2:1 në serinë finale dhe siguruar trofeun e tretë kampion në histori.