Klubi i Milanit ka një plan ambicioz, për të cilën ka bërë një kërkesë zyrtare në organet më të larta të futbollit botëror, jo vetëm atij italian.
Kuqezinjtë synojnë që të përhapin sa më shumë markën e tyre në botë dhe kanë bërë një kërkesë në Federatën Italiane,
UEFA dhe FIFA, që t’i lejojë të luajnë një sfidë të veçantë të Serisë A jashtë territorit italian, më saktësisht në Australi.
Gjithçka ka lidhje me javën e parë të shkurtit, kur në qytetin e Milanos, në stadiumin “San Siro” do të zhvillohet ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore. Më datë 7 ose 8 shkurt, në atë impiant është planifikuar të zhvillohet edhe ndeshja mes Milanit dhe Comos.
Duke shfrytëzuar nga ky rast, Milani ka bërë kërkesën e veçantë që këtë ndeshje ta zhvillojë në “Optus Stadium” të Përthit, me 60 mijë vende.
Në parim Liga Italiane e futbollit është dakord, pasi kërkon të zgjerojë sa më shumë shikueshmërinë e futbollit italian dhe Milani është ndër klubet më të njohura në arnën ndërkombëtare. Edhe për Komon, një klub i ri që kërkon të fitojë popullaritet, do të ishte një lëvizje e mirë marketingu.
Mbeten të binden organet drejtuese kombëtare e ndërkombëtare, për një lëvizje që do të ishte historike, pasi do t’i hapte rrugë edhe skuadrave të tjera që në raste të rralla të bënin të njëjtën gjë. Drejtuesit e Milanit janë në kontakte me palën australiane gjithashtu, pasi duhet t’u kthejnë një përgjigje para datës 30 shtator.