Ndalohet importi i deleve e dhive nga gjithë territori i Shqipërisë

- Bota Sot

Ndalohet importi i deleve e dhive nga gjithë territori i Shqipërisë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nga sot ka ndaluar importin e deleve e dhive nga gjithë territori i Shqipërisë për shkak të shpërthimit të sëmundjes së murtajës së bagëtive të imta PPR (Peste des Petits Ruminants).

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se ndryshon masën e ndalesës së pakohshme për import të ruminantëve të vegjël dele dhe dhi. Sipas saj, nga sot masa e ndalesës vlen për gjithë territorin e Shqipërisë.

“Pas rivlerësimit të situatës, lajmërimeve për konfirmime të rasteve të sëmundjes PPR (Peste des Petits Ruminants) edhe në regjione tjera, AUV ngrit masën kufizuese për tërë territorin e Shqipërisë, me qellim të parandalimit të përhapjes. Duke parë rrjedhën e situatës përveç masës kufizuese në import. Komunat e Kosovës të brezit kufitarë me Shqipërinë, përmes drejtorive të tyre për Bujqësi të vendosin masa strikte kufizuese të lëvizjes se bagëtive të imta në kullosat e brezit kufitarë. Fermerët mbajtëse të deleve dhe dhive të mbajnë nën mbikëqyrje bagëtitë e tyre dhe të pengojnë çfarëdo kontakti të kopeve të tyre me kopetë e fermerëve nga vendi fqinjë”, thuhet në njoftim.

PPR është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë. Ajo përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura, ndërsa burim i infeksionit janë sekrecionet dhe jashtëqitjet. Shenjat klinike përfshijnë: temperaturë të lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion të syve, ulje të oreksit, diarre dhe në raste të rënda, ngordhje. Kjo sëmundje nuk është zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.

Autoritetet kufitare do të forcojnë kontrollet në të gjitha pikat kufitare dhe zonat e brezit kufitar me Shqipërinë, me qëllim parandalimin e futjes së sëmundjes në territorin e Republikës së Kosovës.

AUV në bashkëpunim me autoritetet përkatëse, do të ndjekë nga afër situatën dhe do të ndërmarrë të gjitha masat preventive të nevojshme. Gjithashtu, do të informojë rregullisht fermerët dhe publikun për zhvillimet e mëtejshme. Në ketë fazë, fermerët mbajtës të deleve dhe dhive duhet të pengojnë çfarëdo kontakti të bagëtive të tyre me fermat nga Shqipëria ne kullosat e brezit kufitar.   



Read it all at Bota Sot