Kthimi i Mauricio Sarrit në pankinën e Lacios ka ndryshuar plotësisht dinamikat në klubin bardhekaltër.
Trajneri ka kërkesa specifike për vijimësinë e punës së tij në këtë klub dhe bardhekaltrit janë të gatshëm t’i pranojnë ato. Sipas mediave italiane, kjo ndryshon edhe situatën e Elseid Hysajt.
Mbrojtësi ishte në vitin e fundit të kontratës së tij me Lacion dhe për shumëkënd, ishte pranë lamtumirës mundësisht që në këtë verë, po të mos ndodhte ndryshimi në pankinë me largimin e Baronit dhe kthimin e Sarrit.
Tani, bëhet e ditur se qëndrimi i tij është i sigurt, të paktën për këtë vit, por nuk përjashtohet mundësia edhe për rinovimin e kontratës.
Në fund të fundit, Hysaj është futbollisti më i besuar i Sarrit, me diferencë të thellë nga çdo lojtar tjetër. Rezulton se Hysaj ka luajtur 346 ndeshje nën drejtimin e teknikut italian në klubet e Empolit, Napolit e Lacios.
Kjo shifër ka një diferencë e thellë prej 140 ndeshjesh me lojtarin e dytë më të aktivizuar nga Sarri në karrierën e tij, Daniele Kroçe, i cili ka luajtur 206 ndeshje. I treti është Pepe Reina, i cili është drejtuar në “vetëm” 156 ndeshje nga trajneri italian.