Gjatë një interviste në kanalin e YouTube ‘xBuyer’, të cilën e ka publikuar edhe ‘Marca’, Pep Guardiola foli për shumë tema. Ndër të tjera iu kërkua të rrëfente ndonjë anekdotë ‘sekrete’, që nuk e kishte treguar më parë.
Trajneri katalanas u përgjigj: “Anekdota personale që gjithmonë më bën të qesh? Unë e dua shumë Sergio ‘El Kun’ Agüero.
Është një nga më të mëdhenjtë dhe më të përulurit që kam parë ndonjëherë. Është një djalë i mrekullueshëm, shënoi golin më të rëndësishëm në historinë e Manchester City. Me atë gol, që vlejti titullin e parë në Premier League, klubi filloi të besonte te vetja. Mbaj mend ditën kur i thashë Agüeros se nuk do t’ia rinovonim kontratën, ishte shumë e vështirë.
Po atë ditë në stërvitje, ai bëri 200 gola në ndeshjet e vogla. Kishte një fytyrë sikur donte të më toshte: Do t’ia tregoj këtij cigani me… 200 gola! Unë i thoja: Sergio, do të rinovoj, jam penduar! Më pas shënoi dy gola në ndeshjen e fundit. Për mua ishte një privilegj ta trajnoja Agüeron. Kishte një talent unik”.
Pep dha këshilla personale për të rinjtë: “Kësaj gjenerate të re, që po del tani në futboll, kam pak çfarë t’i them. Ne e kishim shumë më të vështirë. Dilje në ‘Camp Nou’, 50 gazetarë në konferencë për shtyp, kritika…
Sidoqoftë, kishim veteranë që na mbronin. Merrnim edhe ndonjë shpullë, që është mënyra më e mirë për të mësuar. Kisha mjeshtrin Johan Cruyff, që në fillim të ndihmonte shumë, por kur filloje të spikasje, të jepte edhe goditje të forta”.
Guardiola shtoi, gjithashtu: “Tani sheh lojtarët e Barcelonës dhe duket sikur luajnë në oborrin e shkollës. Luajnë gjysmëfinale Champions-i ose në ‘Santiago Bernabéu’ kundër Real Madridit me 17-19 vjeçarë dhe duken sikur janë në pushimin e shkollës”.