Sulmuesi uruguaian, Darwin Núnez, është pranë një largimi të garantuar nga Liverpooli gjatë kësaj vere, sipas gazetarit të njohur të merkatos Fabrizio Romano.
E ardhmja e tij në “Anfield” duket se ka marrë fund, me interes të madh që po vjen nga dy drejtime të ndryshme: Arabia Saudite dhe Evropa.
Sipas Romano-s, klubet nga Saudi Pro League kanë shfaqur interes serioz për Núñez që prej janarit dhe mbeten të gatshme të bëjnë lëvizje konkrete në javët në vijim.
Oferta financiare e klubeve saudite pritet të jetë e majme, gjë që mund të tundojë si Liverpoolin ashtu edhe vetë lojtarin.
Ndërkohë, edhe Napoli ka hyrë në garë për firmën e 24-vjeçarit. Klubi italian ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e lojtarit në ditët e fundit dhe e ka përfshirë në listën e ngushtë të objektivave për repartin ofensiv. Bisedimet mes palëve pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.
Vetë Núñez është i hapur ndaj të dyja opsioneve – si atij europian, ashtu edhe kalimit në Arabinë Saudite. Vendimi përfundimtar pritet të merret në varësi të projektit sportiv dhe kushteve financiare që do t’i ofrohen.