Pep Guardiola ka bërë një deklaratë të fortë pas sezonit zhgënjyes të Man. Sitit, duke krahasuar qartësisht realitetin e Premier Ligës dhe presionin që ekziston te dy gjigantët e futbollit spanjoll, Real Madridi dhe Barcelona.
Trajneri katalanas, në një intervistë për mediat britanike, u shpreh hapur për presionin që do të kishte ndjerë në Spanjë pas një sezoni jo në nivelin e zakonshëm për standardet e Man. Siti. Guardiola theksoi se në një situatë të tillë, nëse do të drejtonte njërin prej dy gjigantëve spanjollë, shkarkimi do të ishte i pashmangshëm.
“Me sezonin që kemi kaluar… Nëse do të isha te Real Madridi ose Barcelona, do të më kishin shkarkuar. Nuk do të kisha asnjë shans të vazhdoja. Nëse kjo do të kishte ndodhur te Barça ose Real Madridi, do të më kishin larguar menjëherë, ” deklaroi Guardiola..
Ky sezon, pavarësisht se Man. Siti fitoi sërish trofe, nuk ishte i zakonshëm për skuadrën e Guardiolës, e cila humbi titullin kampion në Premier Ligë pas tri sezonesh radhazi dominimi, duke ia lënë fronin Liverpullit. Gjithsesi, Guardiola do ta vijojë projektin e tij në Manchester, duke punuar për një tjetër cikël fitues.
Deklarata e tij nxori në pah ndryshimet e mëdha në filozofinë e klubeve angleze dhe atyre spanjolle, ku presioni mbi trajnerët është shumë më i madh, pavarësisht trofeve të fituar më parë.
Guardiola, fitues i trefishtë sezonin e kaluar me Man. Sitin dhe autor i epokës më të suksesshme në historinë e klubit nag “Etihad”, kërkon ta ringrejë skuadrën drejt majave në sezonin e ardhshëm, me një mesazh të qartë: në Angli ka më shumë besim dhe durim për trajnerët në krahasim me presionin e madh që ndjehet te Real Madridi dhe Barcelona.