Jamie Vardy kishte vetëm një emër në mendje kur u pyet për mbrojtësin më të vështirë kundër të cilit ka luajtur ndonjëherë.
Para paraqitjes së tij të 500-të për klubin në muajin maj, legjenda e Leicester City, Vardy, njoftoi se do të largohej nga stadiumi “King Poëer” pasi kontrata e tij do të përfundonte në verë.
Sulmuesi kaloi 13 vite duke luajtur për “Dhelprat” dhe u bë një legjendë e vërtetë e futbollit anglez, duke fituar titullin e Premier League në sezonin 2015-16, FA Cup në 2020-21 dhe dy herë Championship-in.
Edhe pse konfirmoi se nuk do të pensionohet pas largimit nga Leicester City, ky vendim i madh në karrierën e tij bëri që Vardy dhe fansat e tij të reflektojnë për karrierën e tij shumë të suksesshme.
Dhe duke e bërë këtë, 38-vjeçari përmendi mbrojtësin e vetëm në Premier League që ishte më i vështiri për t’u përballur se kushdo tjetër.
Gjatë një paraqitjeje në kanalin e YouTube të Pro Direct Soccer, Vardy mori pjesë në disa sfida futbolli përpara se t’i bëheshin disa pyetje për karrierën e tij, përfshirë edhe atë se cili ka qenë mbrojtësi më i vështirë për t’u përballur.
“Kompany ishte ai. Ishte tmerr të luaje kundër tij,” u përgjigj Vardy me bindje.
“Ishte frikësues sinqerisht. Shpejtësia, fuqia, vetëdija për lojën, pozicionimi, gjithçka. Edhe nëse arrije të kaloje, të pastronte menjëherë.”
Gjatë karrierës së tij, Vardy u përball me Vincent Kompany në gjashtë raste të ndryshme me klub dhe kombëtare, duke ndarë fushën për një total prej 403 minutash.
Fatkeqësisht për legjendën e Leicesterit, në të gjashta përballjet, ylli i Manchester City doli fitues, duke e mposhtur pesë herë me skuadrën e Pep Guardiolës dhe një herë në ndeshjen e fazës së grupeve të Kupës së Botës 2018 mes Belgjikës dhe Anglisë.
Në ato ndeshje, Vardy nuk arriti të shënojë asnjë gol, ndërkohë që Kompany pësoi vetëm dy gola nga skuadrat për të cilat luante anglezi në ato gjashtë ndeshje.
Sigurisht, kjo nuk është ndonjë arsye për turp, duke marrë parasysh faktin se mbrojtësi qendror konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë që kanë luajtur ndonjëherë në Premier League, duke fituar 10 trofe me City-n, përfshirë katër tituj të Premier League.