UEFA ka përjashtuar nga Liga e Konferencës klubin irlandez të Drogeda Junajtid për shkak të shkeljes së rregullit të pronësisë së shumëfishtë.
Një vendim i cili bën të dridhen edhe pronarët e Kristal Palas, klubit të njohur anglez i cili pritet të përballet me të njëjtën masë.
Drogeda është në pronësi të “Trivela Group”, i cili zotëron gjithashtu edhe kuotën kontrolluese të aksioneve të skuadrës daneze Silkeborg.
Kjo e fundit është kualifikuar gjithashtu në Ligën e Konferencës dhe praktikisht kanë dënuar në këtë mënyrë klubin irlandez që të mos marrë pjesë në kompeticion, meqë UEFA u jep prioritet skuadrave që janë renditur më lart në renditje.
Çështja do të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, por ka pak gjasa që situata të ndryshojë. Me të njëjtat pasoja përballet edhe Kristal Palas pas fitores së Kupës FA, pasi pjesëmarrja në Ligën e Europës është e pamundur për shkak të pranisë atje të Olimpik Lionit, një klub në pronësi të Xhon Tekstor që është aksioner i anglezëve.