Veterani i mesfushës angleze, James Milner, ka vendosur të mos i japë ende fund karrierës së tij të gjatë dhe të suksesshme.
39-vjeçari ka rinovuar kontratën me Brighton-in për një sezon tjetër, duke vazhduar kështu rrugëtimin e tij në futbollin elitar anglez.
Milner iu bashkua Brighton-it në vitin 2023 dhe ka zhvilluar 24 ndeshje me skuadrën, ndonëse sezonin e fundit u pengua nga një dëmtim i rëndë që pësoi në gusht kundër Arsenalit, i cili e kufizoi në vetëm katër paraqitje.
Ai u rikthye në fushë në ndeshjen e fundit të sezonit, duke hyrë si zëvendësues në fitoren 4-1 ndaj Tottenham-it, një triumf që i siguroi Brighton-it vendin e tetë në Premier League.
Me plot 638 ndeshje të zhvilluara në elitën angleze, Milner është lojtari i dytë me më shumë paraqitje në historinë e Premier League-s, i tejkaluar vetëm nga Gareth Barry (653).
Karriera e tij nisi që në vitin 2001 me Leeds United dhe përfshin periudha të arta me Aston Villa-n, Manchester City-n dhe Liverpool-in.
Trajneri, Fabian Hürzeler, u shpreh entuziast për vazhdimin e bashkëpunimit:
“Jam shumë i lumtur që James do të jetë ende me ne.
Edhe pse sezonin e fundit nuk arriti të ndihmonte në fushë sa do të donte, ai mbetet një figurë thelbësore për grupin tonë.
Përvojën e tij e vlerësojnë veçanërisht lojtarët e rinj.
Është një njeri i jashtëzakonshëm dhe gjithmonë i gatshëm për skuadrën. Pres me padurim të punoj sërish me të.”
Milner është shembulli i një profesionisti të vërtetë dhe një model frymëzimi për çdo futbollist, një karrierë që refuzon të zbehet, edhe përtej të tridhjetave.