Portieri i kombëtares së Gambias firmos me kuqezinjtë dhe do të jetë pjesë e jona në dy vitet e ardhshme.
KF Shkëndija zyrtarizon angazhimin e portierit Baboucarr Gaye, një emër me peshë ndërkombëtare që vjen si portier standard i kombëtares së Gambias.
"27-vjeçari, i lindur në Gjermani dhe me shtetësi gjermane, është produkt i shkollës së njohur gjermane për portierë. Karrierën e tij e ka nisur në moshat e Bielefeld, për të vazhduar më pas te Arminia Bielefeld, pastaj te ekipi i dytë i Stuttgart, si dhe TuS Koblenz.
Gaye ka zgjedhur të përfaqësojë kombëtaren e Gambias, prej nga e ka origjinën, dhe prej vitesh është pjesë e pandashme e përfaqësueses, ku ka qenë titullar në ndeshje zyrtare dhe turne të rëndësishëm si Kupa e Kombeve të Afrikës.
Sezonin e fundit ai ishte pjesë e Voska Sport, në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut, ndërsa më herët ka luajtur edhe për Lokomotiv Sofia në kampionatin bullgar.
Me përvojën dhe nivelin ndërkombëtar që e karakterizon, Baboucarr Gaye vjen për të shtuar siguri dhe konkurrencë cilësore në portën kuqezi", njofton KF Shkëndija.