Njëzet e tre raste janë konfirmuar me fruth në vendin tonë vetëm gjatë muajit maj, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë. Komuna e Ferizajt prin me 14 raste, në Prishtinë janë katër raste, në Shtime dy, dhe nga një rast në Lipjan, Fushë Kosovë dhe Kaçanik.
Fëmijët e prekur me fruth janë kryesisht të moshave një deri në dy vjeç. Sipas IKSHPK-së të gjitha rastet janë të pa vaksinuara.
Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj thotë për KosovaPress, se mos vaksinimi i fëmijëve ka ndikuar në shtimin e rasteve me fruth.
Vishaj shton se gjatë muajit maj në Klinikën Infektive kanë qenë 15 persona të hospitalizuar, ndërsa këtë muaj vetëm një.
Vishaj: Mos vaksinimi po ndikon në shtimin e rasteve me fruth
“Dukuria e hezitimit për të imunizuar fëmijët e disa prindërve ka ndikuar që të kemi shtim të rasteve me fruth, gjë që në vitet e mëparshme kjo dukuri nuk ka qenë. Muajin e kaluar ne kemi pasur gjithsej 15 të spitalizuar, këtë muaj e kemi vetëm një pacientë të spitalizuar. Ndër zonat që ka prani të infeksionit është pjesa e Ferizajt është më tepër e theksuar, andaj kjo dukuri e cila është duke u na paraqitur këto muajt e fundit është për pasojë e hezitimit të disa prindërve që të mos i vaksinojnë fëmijët, hezitim ky që nuk duhet të justifikohet dhe nuk është i arsyeshëm dhe ata të cilët deri më tani nuk i kanë dërguar fëmijët e tyre që të vaksinohen duhet gjithsesi t’i vaksinojnë”, thotë Vishaj.
Tutje, Vishaj tregon edhe pasojat e mos vaksinimit të fëmijëve me vaksinën MMR.
Vishaj: Nëse fëmija është i pa vaksinuar mund të manifestojë forma të rënda klinike
“Nëse fëmija është i pa vaksinuar mund të manifestojë forma të rënda klinike, manifestime të ndryshme, qoftë pulmonare, sistemin qendror dhe forma të tjera të prekjes tërësisht të sistemit imunitar dhe që mund të shkaktojë edhe dëmtim serioz të shëndetit të fëmijëve”, ka shtuar ai.
Ndërsa, shefi i repartit të Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, Imri Guri thotë se në këtë spital ka pasur numër të shtuar të pacientëve me fruth.
Guri shton se vaksina përveç që është obligim ligjor, është edhe mbrojtje për fëmijët.
Guri: Kohëve të fundit ka pasur numër të shtuar të pacientëve
“Kohëve të fundit ka pasur numër të shtuar të pacientëve, në mesin e tyre ka pasur disa raste sporadike të cilët kanë qenë me fruth, por e kemi testuar dhe disa prej tyre, udhëzuar në klinikën universitare të Prishtinës, disa prej tyre kanë qenë me raste të hepatitit dhe sëmundje të tjera të cilat e kanë përfshirë janë sëmundjet infektive të cilat përfshinë edhe sëmundjet të tjera por në përgjithësi me vjellje... Kemi një problematikë, është problemi tek frika se mos ndonjë nga vaksinat po shkakton ndonjë problematikë të caktuar me autizëm... Vaksina përveç se është një obligim ligjor është edhe mbrojtje për fëmijët tanë”, ka thënë Guri.
IKSHPK-ja u bën thirrje të gjithë prindërve për vaksinim të menjëhershëm të të gjithë fëmijëve sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit me vaksinën MMR - fruth, shtyta dhe rubellë.