Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s, foli pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të Shoqatës Evropiane të Klubeve (ECA) në Miami, në prag të fillimit të Kupës së Botës për Klube:
“Jam i lumtur që iu drejtova Shoqatës Evropiane të Klubeve dhe presidentit të saj, Nasser Al-Khelaïfi, në prag të fillimit të kësaj Kupe të Botës historike për Klube.
Kemi firmosur një memorandum mirëkuptimi me ECA për periudhën 2023-2030, që ka sjellë stabilitet në futboll, pasi kemi gjetur një ekuilibër midis futbollit për klube dhe atij për kombëtaret në të gjithë botën.
Ashtu si Kupa e Botës për kombëtaret në vitin 1930 në Uruguaji, edhe kjo është një ngjarje historike për futbollin e klubeve, me kaq shumë lojtarë, skuadra dhe kombësi, gati për të shkëlqyer në skenën botërore. Është historike, së bashku e kemi bërë të mundur këtë Botëror të mrekullueshëm për Klube”.
Ky memorandum përfshin edhe bashkëpunimin për zhvillimin e Kupës së Botës për Klube të FIFA-s për femra dhe rritjen e vazhdueshme të futbollit në mbarë botën. ECA është organizata e vetme e njohur nga FIFA dhe UEFA për të përfaqësuar klubet evropiane në nivel ndërkombëtar dhe mbetet e përkushtuar për të mbrojtur e ndërtuar të ardhmen afatgjatë të futbollit.
Nasser Al-Khelaifi, presidenti i ECA dhe PSG-së, foli gjithashtu në këtë takim: “Botërori për Klube do të bëhet një kompeticion historik dhe do të sjellë përfitime konkrete për të gjitha klubet, me një parashikim prej 250 milionë dollarësh në formën e solidaritetit për klubet që nuk marrin pjesë në turne”.
Në takim morën pjesë edhe Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s, Alejandro Dominguez i Conmebol, Arsène Wenger, përgjegjësi për zhvillimin global të futbollit në FIFA, si dhe përfaqësues të konfederatave dhe të 11 klubeve anëtare të ECA, që do të marrin pjesë në turne.
“Jemi partnerë të kahershëm të FIFA-s dhe së bashku jemi të angazhuar për të ndjekur një strategji që do të mbështesë rritjen globale të futbollit në nivel klubi, si për meshkuj, ashtu edhe për femra. ECA ka mbështetur këtë turne që nga fillimi dhe i urojmë çdo sukses organizimit të edicionit të parë këtu në SHBA.
Jemi krenarë që punojmë së bashku me klubet tona pjesëmarrëse për të kontribuar në suksesin e këtij turneu dhe për të siguruar që nga angazhimet për solidaritetin do të përfitojnë klubet në gjithë Evropën e botën”.