Transferimi i Álvaro Carreras te Real Madridi po rezulton më i vështirë sesa pritej.
Presidenti i Benfica, Rui Costa, ka folur hapur në konferencën për shtyp përpara debutimit të ekipit portugez në Botërorin për Klube, duke sqaruar se asnjë lojtar i skuadrës nuk është larguar drejt ndonjë klubi tjetër, përfshirë këtu edhe mbrojtësin e majtë, që pëlqehet shumë nga Xabi Alonso dhe Real Madridi.
Carreras, 22 vjeç, ka zhvilluar një sezon mbresëlënës me 50 ndeshje, 5 asiste dhe 4 gola në të gjitha kompeticionet, duke tërhequr vëmendjen e gjigantëve madrilenë. Sidoqoftë, deri tani porta është e mbyllur. “Carreras do ta luajë Botërorin për Klube me Benfica, është lojtar i yni. Nuk kemi arritur asnjë marrëveshje me Real Madridin për të”, – theksoi Rui Costa.
Ish-mesfushori i Milanit, megjithatë, pranoi ekzistencën e negociatave me klubin spanjoll, por shtoi: “Ka pasur disa oferta, por asnjë prej tyre nuk na ka bindur, as për Álvaro dhe as për lojtarë të tjerë”.
Sipas asaj që raporton “Marca”, Carreras ka kaluar javët e fundit në një situatë pritjeje, me valixhet gati, në pritje të finalizimit të transferimit te Real Madridi përpara fillimit të Botërorit për Klube. Megjithatë, edhe pse marrëveshja nuk është mbyllur, lojtari e di mirë interesimin nga Madridi dhe tratativat do të rifillojnë, qoftë pas Botërorit të Klubit, qoftë gjatë merkatos verore.