Ederson dhe Osimhen janë dy objektivat e mëdha të Juves

- Bota Sot

Ederson dhe Osimhen janë dy objektivat e mëdha të Juves

Në shtëpinë e Juventusit prioriteti mbetet sulmuesi. Bardhezinjtë janë të vendosur të mbajnë Kolo Muanin, i cili pas refuzimit të një transferimi në Arabinë Saudite, është rikthyer sërish në qendër të planeve të klubit. Interesimi për Victor Osimhen është rindezur.

Në ditët në vijim priten kontakte të reja me Napolin për të tentuar transferimin e sulmuesit nigerian në Torino.

Gjithçka do të varet nga e ardhmja e Dusan Vlahovic, që mbetet një pikë kyçe në strategjinë e merkatos së Juventusit. Në rast largimi të sulmuesit serb, trajneri Igor Tudor mund të përfitojë nga ardhja e dy sulmuesve të rinj: fillimisht do të tentohet blerja përfundimtare e Kolo Muanit, i cili do të luajë në Kampionatin Botëror për Klube me Juventusin, përpara se të rikthehet te PSG. Synimi është ta bindin lojtarin dhe klubin francez për një rikthim të përhershëm në Torino.

Më e ndërlikuar është pista që të çon te Osimhen, por ndjesia është se Juventus do të bëjë një tentativë konkrete për të, edhe pse duhet të përballet me konkurrencën e Galatasarayt, që pas refuzimit të Osimhen ndaj ofertës nga Al-Hilal, është në “pole position” për ta marrë.

Përveç repartit të sulmit, Juventus kërkon të forcohet edhe në mesfushë. Emri në krye të listës është ai i Ederson nga Atalanta, i cili pëlqehet shumë dhe ka refuzuar oferta nga klubet arabe, përfshirë Al-Hilal. Megjithëse çmimi i lojtarit pritet të jetë i lartë (rreth 60 milionë euro), Juventus mund të bëjë një ofertë konkrete për ta marrë.

Në prapavijë qëndrojnë edhe emrat e Sandro Tonalit dhe Davide Frattesit, por të dy pistat janë mjaft të vështira. Ish-mesfushori i Milanit ka shprehur dëshirën për të qëndruar te Newcastle, ndërsa për Frattesin çdo diskutim pritet të shtyhet pas përfundimit të Botërorit për Klube, edhe pse gjasat që ai të qëndrojë te Interi mbeten të larta.



Read it all at Bota Sot