Janë luajtur në mbrëmje 3 ndeshjet e radhës për Euro U-21, kompeticion i cili zhvillohet në Sllovaki. Në grupin A, Italia fitoi 0-1 ndaj Sllovakisë vendase me golin e Cesare Casadei.
Me këtë fitore, “Axurrët” sigurojnë biletën për në çerekfinale, bashkë me Spanjën, e cila më parë fitoi me përmbysje 2-1 ndaj Rumanisë. Pas dy ndeshjeve të para në grup, Spanja dhe Italia kryesojnë me nga 6 pikë të plota, Sllovakia dhe Rumania me zero pikë.
Në Grupin B, Portugalia ka fituar me “manita” ndaj Polonisë 5:0. Protagonisti kryesor i takimit ishte Geovany Quenda, sulmuesi i Sporting Lisbon me dy gola dhe një asist. Tre golat e tjerë për “luzitanët” u shënuan nga Araujo, Bernardo dhe Gomes.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Franca fitoi 3-2 ndaj Gjeorgjisë, në një ndeshje shumë dramatike. Francezët e mbyllën pjesën e parë në avantazh 1-0, falë penalltisë së realizuar me sukses nga Mathys Tel. Në pjesën e dytë, Gjeorgjia përmbysi fillimisht shifrat duke shënuar dy herë me Abuashvili 76′ dhe Sazanov 84′, por Franca nuk u dorëzua dhe barazoi shifrat me Lepenant në minutën e 89-të.
Në minutat shtesë, francezët gjetën dhe golin e tretë, por që fillimisht u anullua për pozicion jashtë loje, por “Gjelat” nuk u dorëzuan dhe shënuan golin e fitores së madhe me Castello Lukeba në minutën e 112-të. Këtë herë goli ishte i rregullt. Pas dy ndeshjeve të para në grup, Portugalia dhe Franca kryesojnë grupin me nga 4 pikë, ndjek Gjeorgjia e treta me 3 pikë dhe mbyll Polonia me zero pikë.