Inter, gati debutimi në Botëror

- Bota Sot

Inter, gati debutimi në Botëror

Skuadra e Interit ka nisur fazën përgatitore në Los Anxhelos nën drejtimin e trajnerit Kristian Kivu, në prag të debutimit të saj në Botërorin e Klubeve. Ndeshja e parë do të luhet në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në stadiumin e famshëm “Rose Bowl” të Pasadenas, kundër ekipit meksikan, Monterei.Një prani masive e tifozëve meksikanë pritet të krijojë një atmosferë të zjarrtë përballë zikaltërve.

Kivu ka nisur punën për t’i dhënë formë një Interi të ri, ndonëse ndeshja e parë në këtë turne të rëndësishëm vjen me jo pak sfida. Problemi më i madh për momentin mbetet sulmi, ku mungesat janë të shumta dhe të rëndësishme.

SULMI- Marko Arnautoviç dhe Hoakin Korea janë larguar nga skuadra pas përfundimit të kontratave.

Ndërkohë, një tjetër mungesë e rëndësishme është ajo e Mehdi Taremi. Sulmuesi iranian ndodhet ende në Teheran, i bllokuar nga tensionet në rritje mes Izraelit dhe Iranit, që kanë pezulluar trafikun ajror në kryeqytetin iranian. Në këto kushte, Interi kishte planifikuar të grumbullonte vëllezërit Espozito, por Kivu do të ketë në dispozicion vetëm Sebastianon, pasi Françesko Pio ka pësuar një dëmtim gjatë “playoff”-it të Serisë B me Specian. Markus Turam mund të jetë i gatshëm për sfidën me Monterein, por me shumë gjasë nuk do të nisë nga minuta e parë. Si pasojë, partneri i Lautaro Martinezit në sulm do të jetë pikërisht Sebastiano Espozito.

SKEMA- Kivu do të qëndrojë besnik ndaj skemës 3-5-2, e cila solli rezultate të mira nën drejtimin e Simone Inzagit dhe u shfaq efektive edhe në periudhën e shkurtër që ish-mbrojtësi rumun drejtoi Parmën. Përballë Montereit pritet të ketë ndryshime të rëndësishme në formacion, si pasojë e impenjimeve me kombëtaret të disa titullarëve. Në mbrojtje, përpara portierit Jan Zomer, do të rreshtohen Pavar, de Vraj dhe Bastoni. Në mesfushë, vëmendja bie mbi kroatin Petar Suçiç, i cili e ka bindur Kivunë gjatë stërvitjeve dhe pritet të luajë titullar, përkrah Barelës dhe Mkhitarianit. Hakan Çalhanoglu nuk është në dispozicion dhe është përfolur për një transferim të mundshëm te Gallatasaraj.

Në krahët e mesfushës, Dimarko dhe Karlos Augusto pritet të ndajnë minutat në të majtë, ndërsa në të djathtë, Denzel Dumfris do të ruajë vendin e tij. Kivu është i vendosur të sjellë freski në ekip dhe të testojë alternativa të reja në këtë fazë delikate.

Interi përballet me sfida të mëdha në këtë edicion të Botërorit për Klube, por me një trajner të ri dhe një grup të vendosur, ambiciet mbeten të larta. Të gjithë sytë tani janë nga ndeshja e parë ndaj Montereit, një përballje që mund të përcaktojë shumë për ecurinë e mëtejshme të zikaltërve në këtë kompeticion prestigjioz.



Read it all at Bota Sot