Pas disa javësh bisedimesh intensive mes palëve, Vokli Laroshi dhe klubi i Llapit nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për rinovimin e kontratës.
Portieri 23-vjeçar pritet të largohet zyrtarisht nga skuadra podujevase, duke mbyllur kështu një kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij. Gjatë dy sezoneve me Llapin, nuk munguan paraqitjet e tij pozitive, përpos moshës së re mbi supe.
Ai jo vetëm që u dallua për pritjet vendimtare, por dhe per mbajtjen e portës të paprekur për më shumë se 630 minuta lojë. Kontributi i tij ishte thelbësor në ecurinë e ekipit, prandaj dhe këmbëngulja e interesimi i drejtuesëve të Llapit ishte që të rinovonin përsëri me Laroshin, por pa rezultat, duke mbyllur në këtë mënyrë edhe bashkëpunimin mes palëve.
INTERESIMET – Vokli Laroshi është një nga emrat më të përfolur në merkato këtë verë. Pas përfundimit të kontratës me skuadrën e Llapit në Kosovë, 23-vjeçari tashmë është lojtar i lirë dhe ka të drejtë të firmosë me çdo ekip. Interesimi për të ka qenë i menjëhershëm: ekipe nga Superliga e Kosovës kanë shprehur interes konkret, si: Gjilani, Prishtina e Re, Drenica apo Vllaznimi, ndërsa dy skuadra nga Superliga shqiptare gjithashtu kanë hyrë në garë për firmën e tij. Portieri konsiderohet si një nga alternativat më të sigurta për skuadrat që kërkojnë stabilitet në prapavijë.
E ARDHMJA – Me statusin e lojtarit të lirë dhe moshën e re që e favorizon, Laroshi pritet të vendosë për të ardhmen e tij në ditët në vijim. Vendimi do të varet jo vetëm nga ana financiare, por edhe nga garancitë sportive që do t’i ofrojnë klubet.
Dëshira e tij është të luajë në një ambient ku mund të zhvillohet më tej dhe të jetë protagonist, duke mos përjashtuar as mundësinë e një transferimi jashtë Shqipërisë dhe Kosovës në të ardhmen e afërt. Për Vokli Laroshin, vera 2025 është një pikë kthese në karrierë. Me përvojë të fituar në të dy kampionatet dhe me një profil që po rritet çdo sezon, portieri pritet të jetë një nga lëvizjet më interesante të kësaj merkatoje. Zgjedhja e duhur mund ta çojë drejt një sezoni edhe më të suksesshëm, ndaj po shqyrton me kujdes ofertat.
KARRIERË NË RRITJE – I lindur në Shqipëri, Laroshi është formuar në moshë të re si portier me potencial. Ai ka nisur hapat e parë në futbollin profesionist me Turbinën e Cërrikut, për të kaluar më pas tek Partizani i Tiranës, ku ishte pjesë e ekipit të parë dhe luajti disa ndeshje në Kupë. Prej aty, aventura e tij vazhdoi në Kosovë, ku te Llapi dha kontributin e tij për arritjen e objektivave të klubit. Më herët, ai ka qenë pjesë e Kombëtares Shpresa të Shqipërisë, duke përfaqësuar vendin në arenën ndërkombëtare me kuqezinjtë e vegjël.
5 janë ekipet nga Superliga e Kosovës që kanë shfaqur interes për të marrë shërbimet e Vokli Laroshit.
Njëkohësisht janë në garë edhe dy ekipe nga Superliga shqiptare që synojnë ta afrojnë
630 minuta radhazi pa pësuar gol e mbajti portën me skuadrën e Llapit këtë edicion Vokli Laroshi, duke thyer një rekord këtë edicion në Kosovë
16 ndeshje luajti sezonin që lamë pas Vokli Laroshi me ekipin nga Podujeva, duke kontribuar në arritjen e synimeve të ekipit.